Osmani: Kërcënimet ndaj policëve në veri vijnë nga Serbia
SH.Ç/RTKlive
Presidentja, Vjosa Osmani, ka dënuar linçimet që u janë bërë së fundmi policëve të rinj serbë në veri të Kosovës. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se këto kërcënime vijnë nga Serbia dhe grupet e saj kriminale.
Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se autorët duhet të përballen me drejtësinë.
“Dënoj kërcënimet ndaj zyrtareve policore të Kosovës nga Serbia dhe grupet e saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Ne jemi me zyrtarët tanë policor, përderisa ata me trimëri po shërbejnë për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ajo.
Në fillim të kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë. Në Policinë e Kosovës bënë të ditur se 45 prej tyre janë nga komuniteti serb, 16 nga ai boshnjak, 8 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe tre turq.
























