VIDEO|Kuvendi zgjodhi dy anëtarë të Bordit të RTK-së
A.Berisha &A.Bela/ RTKlive
(E plotësuar, ora 12:55) Kuvendi i Kosovës sot ka zgjedhur Dardan Beqirin dhe Radoica Mrgjinac, anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
LIVE|Deputetët e PDK-së largohen nga seanca
(E plotësuar, ora 12:20) Derisa Kuvendi po i vazhdon punimet, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës janë larguar nga salla. Në këto momente deputetët e Kuvendit janë duke votuar për anëtarë të bordit të RTK-së. PDK nuk po merr pjesë në këtë votim.

LIVE|Kuvendi voton Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje
(E plotësuar, ora 12:10) Po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës ku po shqyrtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara.
Kuvendi i Kosovës ka votuar Hamit Basholli dhe Selvete Gagica në Bordin Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Kuvendi ka votuar edhe rekomandimet lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vjet mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës është shtyrë për sesionin e ardhshëm me kërkesë të LDK-së si propozuese.
Kuvendi i Kosovës nuk ka votuar Projekt-Rezolutën nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.
Në seancë po marrin pjesë edhe deputetë të opozitës, ndonëse të njëjtit po marrin pjesë në votimin e disa prej pikave. Mazhoranca ka kuorumin e nevojshëm për të kaluar pikat e rendit të ditës.
Kuvendi ka votuar Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Në seancën e sotme do të hidhet në votim edhe propozim-rezuluta për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovë. 
Mblidhet Kuvendi, në rend dite Projektligji për skemat pensionale
Sot Kuvendi i Kosovës, do t’i vazhdojë punimet e seancës plenare, ku në rend dite janë pikët që kanë mbetur nga seancat e kaluara.
Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 20 prill, 29 qershor dhe 10 korrik 2023 janë: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës, raporton RTKlive.
Kurse pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 4 maj dhe 10 korrik 2023 është votimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.
Ndërkaq pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 22 qershor 2023 është votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.
Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023 janë: Votimi për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023 është votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.
Kuvendi Kosovës do të mblidhet edhe në një seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite janë: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për zyrtarët publikë.























