‘Prizren Fest’ sot me unitetin e teatrove të Prishtinës, Tiranës e Shkupit
BKT
RTKlive
Kulturë

‘Prizren Fest’ sot me unitetin e teatrove të Prishtinës, Tiranës e Shkupit

Medina Pasoma / RTKlive

Sot është duke u mbajtur konferenca “Bashkëpunimi ndërmjet teatrove shqiptare – përparësitë, sfidat dhe mundësitë” në Shtëpinë e Shani Efendisë, si bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Shqiptar në Shkup, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “Prizren Fest”.

Pjesë e konferencës do të jenë diskutimet për bashkëpunimet mes këtyre tri institucioneve teatrore shqiptare, e cila si iniciativë ka lindur me rastin e themelimit të festivalit “Moisiu”, i cili në rotacion çdo vit zhvendoset mes Prishtinës, Tiranës e Shkupit me shfaqje të ndryshme.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti  në një intervistë për programin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ka treguar se cilat do të jenë pikat e konferencës.

“Marrëveshja e rëndësishme e jashtëzakonshme që është nënshkruar mes ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çekut dhe ministres së Shqipërisë, Elva Margariti, do të përcaktojë edhe krijimin e një fondi për bashkëpunimet teatrore mes dy vendeve dhe do të sigurojë mobilitet për festivalin ‘Moisiu’. Kjo iniciativë ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të mirë që kemi dhe është punë e madhe lobuese”, ka thënë Sheremeti.

Tutje ai ka shpalosur se së shpejti do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe kryetarit të Tiranës, Erion Velijaj për arritjen e bashkëpunimeve mes artistëve të dy vendeve.

Ndërkaq programi i “Prizren Fest” tutje vazhdon me prezantimin e punëtorisë “Teatri i Lëvizjeve dhe Hijeve” në shkollën e mesme të muzikës “Lorenc Antoni”. Me këtë rast to të jepet shfaqja “Mik” për fëmijë dhe në fund shfaqja mysafire nga Greqia, “Teba: Një luftë civile globale”. 


MË SHUME NGA Kulturë