Haqif Mulliqi përkujtohet si profesionist i arsimit dhe kulturës
BKT
Foto: Qëndresa Duraku Xharra
Në Fokus

Haqif Mulliqi përkujtohet si profesionist i arsimit dhe kulturës

Medina Pasoma / RTKlive

Njërit prej dramaturgëve më të vyer teatror, profesorit të palodhshëm e njeriut intelektual, Haqif Mulliqit iu dha lamtumira e fundit. Me një ceremoni mes kolegëve, artistëve e profesorëve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” u përkujtua  jeta dhe vepra e profesorit e dramaturgut që vdiq në moshën 63-vjeçare.

Profesor i kompletuar, punëtor i palodhshëm

I pranishëm ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi i cili tha se sot është ditë zie për institucionin që drejton me rastin e humbjes së Mulliqit.

“Ai ka ofruar shembullin më të mirë të një profesori të kompletuar, punëtori të palodhshëm sikur edhe të një figure prej intelektuali, krijuesi e një studiuesi të shquar në fushën e dramës dhe artit”, ka thënë Qerimi gjatë mbledhjes përkujtimore.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri tha se gjithnjë i ka pranuar këshillat e Mulliqit në proceset menaxhuese të institucionit. Tutje tha se UP do ta ruajë me vendosmëri gjithë angazhimin e Mulliqit, duke tentuar të përcjellë shembullin e veprës së tij.

Kontribuues i pashoq i arteve skenike

“Profesorin Haqif e njoha edhe siç njihen njerëzit e kalibrit të tij, përmes veprave, si kontribuues të pashoq në fushën e arteve skenike, si njeri me virtyte të larta njerëzore e me cilësi të jashtëzakonshme akademike”, u shpreh Haziri.

Vajza e profesorit të ndjerë, Getoarbë Mulliqi tha se ai ka qenë ikona e Prishtinës dhe është i papërsëritshëm për shumë sfera. 

“Do të doja të ishte babi këtu dhe të shihte se sa shumë e gëzon respektin e njerëzve. Babi ka qenë një shqiptar i madh, bashkëshort, baba, gjysh e familjar i pashoq. Ka qenë shok dhe ka qenë bashkëpunëtorë me vlera shumë të larta, profesor që krejt çka ka pasur ia ka transmetuar studentëve të tij”, ka thënë ajo.

Me kërkesë të vajzës së saj, në mënyrë simbolike të gjithë u ngritën në këmbë duke duartrokitur për disa minuta në kujtim të profesorit i cili la gjurmë të pashlyeshme në arsimin e kulturën e vendit tonë.

Në kujtim të tij pati edhe interpretim muzikor, ndërkaq varrimi do të bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Mulliqi ka lindur më 6 maj 1960 dhe ka diplomuar në dramaturgji në vitin 1996. Ai ka pasur titullin master i shkencave psikologjike dhe master i shkencave të filologjisë. Ka doktoruar me temën “Drama, teatri dhe identiteti kulturor në Kosovë”.

Ka qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës nga viti 2009. Ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit qysh nga vitet e 80’ta, ndërkaq ka qenë i angazhuar edhe si reporter lufte.

Ai mban vulën e shumë dramave e regjisurës së shfaqjeve teatrore. “Trenat”, “Për të vërtetën”, “Pas luftës”, “The Kosowars”, “Trenat”, “Parfumeria”, “Asgjë të re në jug” janë disa nga dramat e shkruara nga Mulliqi.


MË SHUME NGA Në Fokus