Nuk ka kuorum për votim për ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë
BKT
Lajme

Nuk ka kuorum për votim për ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë

M.P. / RTKlive

(E përditësuar, 17:40) Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk arriti që në seancën e sotme ta miratojë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128. Në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë dhe dy të tjerë që ishin të pranishëm.

Derisa pozita e mbështeti këtë projektligj, kritik dhe kundër ishin deputetët opozitarë nga LDK-së dhe AAk-së.

Opozita në debat për projektligjin për zyrtarët publik

(E përditësuar, 16:40) Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë debatin për votimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publik në seancën e jashtëzakonshme.

“Është një prej projektligjeve që bën mundësimin e hapjes së administratës drejt një administrate të hapur, transparente, llogaridhënëse dhe shumë profesionale”, tha deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, si iniciues i këtij projektligji.

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kjo nismë është e çuditshme dhe kundërshtuese me jetën parlamentare të vendit. Ai tha se ky projektligj ka ardhur tri herë në votim, secilën herë duke krijuar projektligje për të ndryshuar një ligj ekzistues.

 “Ju nuk po dëshironi me humb asnjë ditë për ta kapur dhe shkatërruar administratën e shtetit. Jeni duke shkatërruar një sistem që të tjerët na kanë ndihmuar ta ndërtojmë, jo që kemi ditur ne”, ka thënë Selmanaj.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se po trajtohet një ligj që është i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe që pritet vendimi nga ky institucion.

“Në esencë s’është ligji për rregullimin e pozicionit të zyrtarit publik por është ligji për rregullimin e pensionimit politik e partiak në nivel të lartë”, ka thënë Tahiri.

 

(16:15) Është miratuar projektligji për skemat pensionale në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.

Me prezencën e 76 deputetëve në sallë është votuar për kalimin e këtij projektligji, teksa nuk ka pasur asnjë votë kundër apo abstenim.

Poashtu në këtë seancë në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.


MË SHUME NGA Lajme