Publikohen audioincizime, Ministria e Tregtisë nuk deklarohet
Valjete Shala/RTK
Në një audioincizim të publikuar nga gazeta online "Nacionale", ku dëgjohen duke folur dy zyrtarë nga Ministria e Tregtisë, shprehin shqetësimin se malli i paguar për rezerva shtetërore ende nuk ka ardhur në Kosovë. Njëri nga emrat që përmendet në incizim i mohon ndërlidhjet me këtë rast.
Në këtë audioincizim, të publikuar në portalin Nacionale, pretendohet se biseda zhvillohet mes dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ata flasin rreth një kontrate për blerjen e rezervave shtetërore dhe pagesave që janë kryer te një kompani në Poloni për vaj, derisa pretendohet se malli nuk ka arritur.
Në këtë bisedë përmenden emrat e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe një biznesmeni me emrin Ridvan Muharremi e për të cilin pretendohet se është ndërmjetësues i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe një firme polake.
RTK i ka kërkuar një deklaratë Muharremit për bisedat ku përmendet emri i tij.
"Dua ta shfrytëzoj të drejtën time qytetare për të mos u deklaruar lidhur me shpifjet ku është apostrofuar emri im. Nuk kam ndonjë informate lidhur me këtë rast, andaj ju udhëzoj që ta pyesni Berat Buzhalen për këtë çështje. Sa ju përket shpifjeve të cilat më kanë trondit mua dhe familjen time, shumë shpejte do t’i ndjekë rrugët ligjore për ta ndriçuar deri në fund rastin. Në mënyrë të veçantë i drejtohem të gjithë opinionit, se biznesin familjar të cilën e ushtroj tani e 8 vite, nuk e kam përzier asnjëherë me ndonjë punë të pa ndershme dhe do të qëndroj i tillë deri në frymën e fundit!", ka theksuar Muharremi.
Ndërsa, drejtuesi i Portalit që e publikoi këtë audio-incizim, Berat Buzhala, në rrjetin e tij social ka shkruar se sot ka pasur takim me hetuesit, që sipas tij, patën interesim për vajin.
Po ashtu, RTK i kërkoi një përgjigje edhe Ministrisë së Tregtisë, zyrtarët e së cilës nuk kthyen përgjigje.
Ndërkohë, një javë më parë, e pyetur nëse ishte në dijeni për hetime nga Prokuroria lidhur me rezervat shtetërore, ministrja Hajdari mohoi të ketë njohuri për një rast të tillë.
“Nuk jam ftuar asnjëherë nga askush dhe nuk jam në dijeni për ndonjë hetim, nuk e di”, ka thënë ajo.
Pas publikimit të këtij audioincizimi kanë reaguar deputetët e partive opozitare duke e cilësuar si skandal. Derisa deputetë të shumicës parlamentare nuk pranuan të komentojnë këtë audioincizim duke thënë se nuk janë në dijeni për këtë çështje. Ndryshe, Qeveria e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar ka ndarë 10 milionë euro për rritjen e rezervave shtetërore.























