Gjetjet e raportit të DASH-it, shqetësuese për ekonominë e vendit
Arbresha Berisha/RTK
Një ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për “Klimën e Investimeve në Kosovë për vitin 2023” ku thuhet se korrupsioni e sundimi i ligjit kanë kufizuar investimet e huaja direkte. Pozitë e opozitë e komentojnë në forma të ndryshme këtë raport. Njohës të ekonomisë thonë se gjetjet e këtij raporti janë shqetësuese për ekonominë e vendit.
Mosmarrëveshjet e vazhdueshme Kosovë-Serbi, ndërhyrjet politike në ekonomi e gjyqësor si dhe sundimi i dobët i ligjit kanë kufizuar tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Kjo vihet në pah në raportimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për “Klimën e Investimeve në Kosovë” për vitin 2023, në të cilin thuhet se remitencat e dërguara nga diaspora janë shtytësi më i madh ekonomik i vendit.
"Potenciali i Kosovës për të tërhequr investimet e huaja direkte në rritje është i kufizuar nga çështje të shumta strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global; ndërhyrjet politike në ekonomi dhe gjyqësor; furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore; korrupsioni; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mungesën e zbatimit të kontratave".
Mosnjohja e Kosovës nga Serbia sipas DASH-it e ka ekspozuar vendin ndaj vështirësive në kryerjen e aktiviteteve të përditshme të biznesit. Të shqetësuar me të gjeturat e Departamentit Amerikan janë shprehur ekonomistë në vend.
Anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga radhët e opozitës fajësojnë ekzekutivin që nuk po punon në tërheqjen e investimeve të huaja.
Mirëpo nga Ministria e Industrisë kanë thënë për RTK-në se kanë një plan në lidhje me tërheqjen e investimeve nga jashtë i cili është duke u zbatuar.
Ndërkaq, në raportin e DASH-it janë ngritur shqetësime edhe për zhvillimin institucional të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka mbetur me udhëheqës detyre të guvernatorit.
Në raportin e DASH-it po ashtu thuhet se qeveria është treguar relativisht e pasuksesshme për të ndjekur penalisht e konfiskuar pasuritë e individëve të korruptuar.























