Veriu, shqetësim i ndërkombëtarëve, flasin deputet e pozitës e opozitës
Edina Avdiu/RTK
Situata në veri të Kosovës dhe marrëveshja për shtensionim ka qenë temë e cila u diskutua, mes tjerash, në një takim mes presidentit amerikan Joe Biden me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Ata kanë bërë thirrje për shtensionim dhe pajtim në rajon, duke thënë se dy vendet do ta shtojnë bashkërendimin për këtë qëllim. Thirrjet e aleatëve janë komentuar sot edhe nga përfaqësues të partive të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Situata në veri të vendit është bërë temë diskutimi edhe në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, pas një takimi kanë bërë një deklaratë të përbashkët ku ka zënë vend edhe Ballkani Perëndimor edhe situata në Kosovë.
Biden dhe Meloni kanë bërë thirrje për shtensionim dhe pajtim në rajon, duke thënë se dy vendet do ta shtojnë koordinimin për këtë qëllim.
Në të njëjtën ditë, në SHBA kanë zhvilluar takim edhe përfaqësues të Listës Serbe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
Siç ka njoftuar Lista Serbe, në takim është përcjellë qëndrimi i komunitetit serb për situatën e sigurisë politike në Kosovë, si dhe nevojën e respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë marrëveshjet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Këto takime në SHBA i kanë komentuar deputetë të Kuvendit të Kosovës nga pozita e opozita.
“Tani Bashkësia Ndërkombëtare po e tregon se e di kush është fajtori për pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhje, pra është Lista Serbe, strukturat kriminale dhe Beogradi. Këto takime unë I shoh në këtë frymë, duke marrë garanci që Lista Serbe me ato struktura kriminale që I ka prapa vetes dhe Beogradi të mos bëjnë presion të qytetarët serb për mospjesëmarrje në zgjedhje, pra ta bëjnë të kundërtën”, ka thënë për RTK, deputeti i Vëtëvendosjes, Agon Batusha.
Ish ministri i jashtëm, i cili është deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se problemi është që Kurti zotohet që ta mbështes një proces politik dhe pastaj i bien pishman. “E ka pranuar marrëveshjen e Ohrit, tash nuk i pëlqen, pranon që duhet të ketë zgjedhje të reja dhe nuk bën asnjë veprim për zgjedhje të reja”, theksoi Hoxhaj.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, th se vizita e Listës Serbe në Washington është një avantazh për serbët.
“Deklaratat e Biden dhe italianëve janë të mira për ne për arsye se ata po shikojnë prapë të bashkëpunojnë me ne, ndërsa kryeministri jonë duhet të dakordohet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian dhe të dalim nga kjo situatë në pjesën veriore, sepse e gjithë kjo situatë ka ardhur si moskordinim me aleatët tanë ndërkombëtar”, tha Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja.
Në mesin e pikave për të cilat Qeveria ka rënë në ujdi për shtensionim të situatës në veri, është edhe mbajtja e zgjedhjeve në vjeshtë.























