Kosova fiton kundër Zvicrës në një finish dramatik
BKT
Sport

Kosova fiton kundër Zvicrës në një finish dramatik

B. H. | RTKlive

Basketbollisti me prejardhje amerikane, Dominic Artis ishte përcaktues në fitoren që Kombëtarja e Kosovës e realizoi të shtunën në mbrëmje në Fribourg në përballje me Zvicrën, me rezultat 76:72.

Kjo ishte ndeshja e tretë e Dardanëve në kuadër të Grupit H për fazën e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Artis ishte më efikasi te Kosova me 22 pikë, por ai përveç kësaj realizoi edhe pikët vendimtare në fund të takimit që ia sollën fitoren Dardanëve.

Në fakt, zviceranët ishin në epërsi deri në minutën e fundit të ndeshjes, kur Kosova arriti të ndryshojë epilogun me mbrojtje të fortë dhe efikasitet të lartë në sulm.

Me këtë fitore Dardanët i mbajnë gjallë shpresat për ta fituar grupin dhe për të siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e rregullta. Krahas Artis me lojë të mirë u dalluan edhe Drilon Hajrizi, me 17 pikë dhe Dardan Berisha, me 14 pikë, derisa te Zvicra më efikasi ishte Yanic Konan Niederhauser, me 14 pikë.

Ndeshjen e fundit dhe përcaktuese Kosova do ta zhvillojë më 5 gusht në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren kundër Danimarkës. Ndeshjen e parë kundër kësaj kombëtarje Dardanët e humbën me rezultat 82:75, prandaj tani për kualifikim tutje i duhet fitorja me më shumë se 7 pikë epërsi.