PDK kërkon hetime për rezervat shtetërore
BKT
Lajme

PDK kërkon hetime për rezervat shtetërore

Medina Pasoma | RTKlive

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, ku ka shpalosur qëndrimet e saj lidhur me, siç kanë thënë, aferat korruptive të qeverisë me rezervat shtetërore.

Deputetja e këtij subjekti Eliza Hoxha, ka akuzuar pushtetin për keqpërdorim të rezervave shtetërore. “Afera e re e përgjimeve që dëshmon vjedhjen e qeverisë në rezervat shtetërore, është hajni e paprecedent që e ka instaluar pikërisht qeveria e Albin Kurtit”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka thënë se ky është një nga skandalet korruptive që cenojnë jo veç rezervat, por edhe integritetin e përgjithshëm të institucioneve publike.

Hoxha i ka bërë ftesë organeve të drejtësisë që të marrin masa të menjëhershme, siç ka thënë ajo, për këto abuzime e afera korruptive në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Hoxha ka paraqitur qëndrimet e PDK-së edhe lidhur me  çështje të tjera. Duke folur edhe për pezullimin e certifikatës së Klan Kosovës, ajo tha se ky është veprim i paprecedentë dhe akt autoritar në një shoqëri demokratike.

Tutje Hoxha tha se inkurajojnë mediat e lira, në këtë rast Klan Kosovën, të vazhdojë betejën ligjore kundër vendimeve arbitrare.

Deputetja e PDK-së përmendi edhe seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, e cila u anulua ende pa nisur. Ajo tha se ky veprim është një nga arsyet pse duhet të shpërbëhet kjo legjislaturë, pasi sipas saj atë ditë ka pasur kuorum të deputetëve.


MË SHUME NGA Lajme