Ahmeti: BDI dorëhiqet nga qeveria nëse opozita voton ndryshimet kushtetuese
M.P. / RTKlive
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë të ditur se të gjithë ministrat dhe funksionarët e tjerë nga partia e tij do të japin dorëheqje në momentin që opozita do t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Ai iu ka drejtuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me një shkresë, nëpërmjet të cilës ka thënë se dorëheqjet e ministrave të partisë së tij vjen pas kushtëzimit të opozitës se do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese nëse BDI del nga Qeveria.
“Duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do të votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria, duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, ne ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japim dorëheqje nga postet që aktualisht jemi duke i ushtruar! Dorëheqjet, z. Kryeministër, efektizohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.























