Lukaku-Juve, Chelsea i hapur për shkëmbimin me Vlahovic
RTSH
Diçka po lëviz, më në fund qoftë edhe ngadalë. Pas fjalëve të Romelu Lukakut dhe mosbesimit të shfaqur ndaj zbarkimit të tij në Torino, kanë nisur zyrtarisht negociatat mes Juventusit dhe Chelsea për kalimin e ish-sulmuesit të Interit tek bardhezinjtë.
Hapi i bërë nga blutë ishte vendimtar, pasi ata hapën për herë të parë mundësinë për një shkëmbim me Dushan Vlahovic, pa hyrë për momentin në detajet e marrëveshjes. Ose më mirë, pa vënë për momentin në pjatë një bilanc të mjaftueshëm për të bindur Juventusin të pranojë kushtet. Fakt mbetet se, për herë të parë pas disa javësh, Big Rom mund ta imagjinojë vërtet veten bardhezi, edhe nëse rruga mbetet e gjatë dhe me shumë kthesa.
Në mes janë paratë që Chelsea do t'i paguajë Juves: deri ku do të jenë të gatshëm të shkojnë londinezët? Siç dihet, Lukaku vlerësohet me 40 milionë dhe bardhezinjtë kishin hedhur në tavolinë një propozim prej 37.5 milionë plus 2.5 që do të realizohej vetëm pasi të shitej Vlahovic. Serbi, i refuzuar nga PSG, mbeti në duart e torinezëve si një i “padëshiruar” që tashmë blutë mund të vendosin ta marrin. Se çfarë sakrifice ekonomike do të bëjnë, mbetet për t'u parë.
Deri më tani, sipas Sky, oferta e Chelseat nuk konsiderohet e drejtë, por hapja shihet si një sinjal i rëndësishëm drejt suksesit të një marrëveshjeje që të gjithë e duan. Duke filluar nga Massimiliano Allegri, i cili i kërkoi konkretisht Lukakun në sulmin e tij. Bisedimet do të vazhdojnë në këto ditë dhe shpresa e përbashkët është të përfundojnë në një kohë relativisht të shkurtër.























