Shkrimtari Ismail Kadare merr nënshtetësinë e Kosovës
BKT
Foto: Nga Arkivi i Presidencës
Në Fokus

Shkrimtari Ismail Kadare merr nënshtetësinë e Kosovës

M.Miftari/RTKlive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se presidentja Osmani në arsyetimin e dhënies së nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare, ka vlerësuar se është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t`i dorëzohet nga presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.

Ndryshe, presidentja Osmani, në qershor të këtij viti, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.


MË SHUME NGA Në Fokus