Tahiri-Beqa: Marrëveshja politike, mundësi për shtensionimin në veri
E. Hoti / RTKlive
Analistja politike, Arta Tahiri Beqa, ka folur në “INFO Plus” në RTK për situatën në veri dhe fillimin e procedurave ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar përgatitjen e procedurave për largimin e kryetarëve nga komunat veriore pas pajtimit të kryeministrit Albin Kurti për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Tahiri-Beqa, ka thënë se zgjedhjet kanë qenë të dështuara që në start që nga afati kur u hap data e zgjedhjeve pa koordinim me faktorët që do të kishin prodhuar sukses të këtyre zgjedhjeve.
“Sidoqoftë jemi në një situatë të tillë. Ka qenë e pashmangshme që mos të jepet dorëheqja, apo mos të krijohet situatë, apo grupe të cilat do të hapnin rrugë sa i përket zgjedhjes së kryetarëve në Mitrovicë të Veriut”, ka thënë ajo.
Sipas Tahiri-Beqa, këmbëngulja për të qenë pjesë e objekteve komunale në Mitrovicë të Veriut nga kandidatët e Vetëvendosjes ka qenë një sakrificë e panevojshme sepse tashmë rezultati dihet.
“Është një marrëveshje politike, e vetmja e mundur për të hapur rrugë për situatën e krijuar në Mitrovicë të Veriut”, ka deklarua ajo.
Ajo ka thënë se pas datës 1 shtator në bazë të pesë pikëshit dhe katër pikëshit që është formuar kohët e fundit nga Kurti dhe faktori ndërkombëtar për të normalizuar gjithë këtë situatë është pikërisht se do t'u kërkohet kryetarëve të këtyre komunave të japin dorëheqje në mënyrë që të lehtësohet procesi i shkuarjes në zgjedhje.
“Me aq sa është kuptuar më e shpejta dhe më e lehta është dorëheqja e këtyre kryetarëve të komunave në mënyrë që të lirohet rruga për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka theksuar ajo.
Tahiri- Beqa ka deklaruar se opinion i gjerë shpesh po e keqkupton kur po kërkohet që dorëheqja ose lirimi i këtyre vendeve është një lirim për Kosovën me idenë sikur po duan të tërhiqet pala kosovare.
“Fatkeqësisht këto zgjedhje, këto mbikëqyrje të institucioneve nga këta kryetarë komunash ka prodhuar probleme për Kosovën. Kanë prodhuar sanksione dhe kanë prodhuar ngërç sa i përket avancimit të Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, kohëve të fundit ka pasur edhe sabotim të takimeve të disa krerëve të shteteve të larta, pikërisht për shkak të situatës e cila është prodhuar si pasojë e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme atje.
“Kur e shohim situatën e tanishme unë mendoj që nuk është dashur të vihet deri në këtë moment në qoftë se dorëheqja do ndodhte. Ka qenë mirë që të koordinohej mbi të gjitha me SHBA-të se cili do ishte procesi më i mirë që nuk do të prodhonte sanksione”, ka thënë Tahiri-Beqa.
Qeveria e Kosovës i ka filluar procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar përgatitjen e procedurave për largimin e kryetarëve nga komunat veriore pas pajtimit të kryeministrit Albin Kurti për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Grupi punues “është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave”. Ky Grup Punues, sipas Qeverisë “duhet ta finalizojë Projekt – Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri me datën 01 shtator 2023”.























