Mediet bojkotuan konferencën e ministres Rozeta Hajdari/ Video
BKT
Lajme

Mediet bojkotuan konferencën e ministres Rozeta Hajdari/ Video

Edona Podvorica/RTK

Interesimi i medieve ishte i madh për ta përcjellë se çfarë do të deklaronte lidhur me vendimin për Televizionin Klan Kosova. Me të nisur konferenca, gazetarët larguan mikrofonat në shenjë solidarizimi me Klan Kosovën.

Derisa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në konferencë për medie, po fliste për rastin e shfuqizimit të  certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, mediet vendosen të bojkotojnë atë. Një pas një morën mikrofonat e kamerat dhe u larguan nga salla e konferencave të Ministrisë, ndërkohë Hajdari po vazhdonte të fliste.

Ministrja Hajdari tha se qëllimi i kësaj konference ishte të flitet për ligjshmërinë  e bizneseve.

“E di që disa prej jush e kanë marrë me shqetësim rastin e shfuqizimit të licencës se ‘Klan Kosova shpk’. E kuptoj shqetësimin e juaj dhe të punonjësve medial pran mediumit Klan Kosova, por është me rëndësi që të ju siguroj se pezullimi i certifikatës së biznesi të Klan Kosova nuk kishte fare për qëllim fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes dhe punën e medieve në vendin tonë, por vetëm ti zbatoj kërkesat legjitimeve të Kushtetues dhe ligjeve tona”, tha ajo.

SHBA-ja kërkon proces transparent për Klanin

Vendimi i MINT-it për të pezulluar certifikatën e biznesit për Klan Kosova ka nxitur reagime të shumta në vend dhe jashtë vendit. Ambasadori Hovennier komentoi edhe suspendimin e licencës së mediumit Klan Kosova.

"Ne nuk e shohim këtë thjesht si heqje e licencës së një biznesi, ne e shohim si çështje të lirisë së medies dhe si të tillë e adresojmë. Kurdo që një qeveri merr vendim që mund të ketë ndikim në mediet e pavarura, organizatat e transmetimit, është diçka që duhet pasur kujdes të madh të rishikimit, deri te rezultati në fund, sepse liria e medies është aq e rëndësishme”, tha ai.

Ambasadori amerikan i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që këtë çështje ta zgjidhë në mënyrë transparente, të drejtë dhe të shpejtë.

Klan Kosova tashmë e ka konfirmuar se këtë rast e ka dërguar në gjykatë, ndërkohë MINT ka bërë me dije se komisioni e ka mbyllë këtë rast dhe se nuk bëjnë kompromis kur behët fjalë për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.


MË SHUME NGA Lajme