Punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë nuk po u shihet fundi
Edina Avdiu/RTK
Mbi një dekadë nga fillimi i zgjerimit të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë, Ministria e Infrastrukturës po zhvillon ende procedura të prokurimit. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu u arsyetua se në këtë projekt ka pasur një auditim nga ana e autoritetit financues, por premtoi se punimet do të rifillojnë në vjeshtë.
Për më shumë se një dekadë në këtë rrugë shihen shenja që sinjalizojnë për punime në rrugë, ku punimet janë ndalur që nga shkurti i këtij viti. Derisa në magjistralen Prishtinë –Podujevë po punohet edhe gjatë natës, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë nuk po punohet as natën e as ditën.
Ndonëse punimet kanë filluar në vitin 2009, kjo magjistrale nuk është as afër përfundimit.
Të lodhur me këtë gjendje të rrugës janë shprehur qytetarët që e përshkojnë këtë rrugë pothuajse çdo ditë, por edhe ata që kanë ardhur në vendlindje për pushime.
Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, ka thënë se vjeshta e këtij viti pritet të jetë periudha kur do të rifillojnë punimet.
“Rruga Prishtinë-Mitrovicë është ndërpre pas auditimit që është bërë nga vet autoriteti financues, na kanë dalë problem. Kemi arrit me e bë prokurimin e organit mbikëqyrës dhe jemi në fazën e hapjes së prokurimit për kompaninë. Procedurat e prokurimit janë shumë më të shpejta se procedurat ligjore sepse është fondacion I huaj dhe presim që vjeshta e këtij viti të fillojmë punimet”, tha ai.
Derisa punimet të përfundojnë, qytetarët do të vazhdojnë të presin në kolona të gjata.























