Shifra alarmante të aksidenteve në Kosovë
BKT
Në Fokus

Shifra alarmante të aksidenteve në Kosovë

Edina Avdiu/RTK

Në Kosovë, numri i aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon të jetë i lartë. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, vetëm të hënën kanë ndodhur 6 aksidente, prej tyre një me fatalitet. Ndërkaq, sipas ekspertëve, faktori njeri vazhdon të mbetet shkaku kryesor.

E hëna ishte tragjike për 77-vjeçarin nga Istogu, i cili u aksidentua dhe nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Si pasojë e këtij aksidenti, nëntë persona të tjerë mbetën të lënduar.

Përveç aksidentit në Istog, Kosova u trondit edhe nga 5 aksidente të tjera, prej të cilave nuk shpëtuan pa lëndime edhe disa persona të tjerë. Shqetësues është fakti se shifrat e aksidenteve vazhdojnë të jenë të larta, shifra këto të dëshmuara edhe nga Policia e Kosovës.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës për periudhën janar-qershor të vitit 2022, 43 aksidente kanë përfunduar me fatalitet, 3518 me lëndime, ndërsa 5791 me dëme materiale.

Ndërkaq, shifrat nuk kanë ndryshuar as këtë vit për periudhën e njëjtë, ku sipas të dhënave nga policia, 35 aksidente kanë përfunduar me fatalitet, 3782 me lëndime dhe 6113 me dëme materiale.

Eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi, vlerëson se shkaktarët e aksidenteve rrugore janë të shumtë, por që faktori njeri mbetet kryesori.

"Këto aksidente ndodhin për shkak të rritjes së shpejtësisë, domethënë mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe mosrespektimit të shenjave të trafikut dhe prandaj vijnë këto aksidente. Por fokusi është faktori njeri", tha Muhamed Krasniqi, ekspert i komunikacionit.

Ndërkohë që Policia e Kosovës dhe ekspertët e komunikacionit vazhdojnë të apelojnë për kujdes gjatë ngasjes.


MË SHUME NGA Në Fokus