Ferati: Udhëzimi administrativ, për ta lehtësuar procesin
BKT
Lajme

Ferati: Udhëzimi administrativ, për ta lehtësuar procesin

E.H & SH.G/ RTKlive

Qeveria e Kosovës i ka filluar procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar përgatitjen e procedurave për largimin e kryetarëve nga komunat veriore pas pajtimit të kryeministrit Albin Kurti për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati në magazinën informative “Lajmet e fundit” në RTK ka folur për procedurat ligjore për largimin e këtyre kryetarëve dhe për aktet nënligjore që duhet të miratohen me këtë rast.

“Një prej mënyrave që kryetarëve ju skadon mandati është edhe peticioni i qytetarëve, pastaj organizimi i votimit dhe një lloj mini-referendumi. Me që nuk kemi përvoja në këtë drejtim, unë po besoj që ministria ka iniciuar një udhëzim administrativ që ta bëjë teknikisht më të lehtë këtë proces. Ajo, gjithsesi duhet që patjetër të jetë në pajtim me Ligjin e vetëqeverisjes lokale që flet për këtë pikë, si kush do të merret me atë çështje, si bëhet verifikimi i atyre nënshkrimeve, cili është komisioni që merret me ato çështje, pastaj edhe vet organizimin e zgjedhjeve. Pra, kjo është një prej mënyrave”, tha Ferati.

Ferati ka thënë se ka pritur që institucionet qendrore “do të diskutojnë me vet kryetarët dhe do të kërkojnë mirëkuptimin e tyre që ky të jetë një proces sa më i thjeshtë”.

 Duke komentuar mbledhjen e nënshkrimeve, Ferati tha se këtë mund ta bëjë kushdo.  

“E rëndësishme është që të jenë të nënshkruar 20 për qind të atij elektorati. Këtë mund ta bëjë  edhe ndonjë organizatë  joqeveritare, ndonjë subjekt politik, apo ndonjë individ”, nënvizoi ai.

Zeqiri: vendimi i qeverisë mund të ketë pak sukses

Kurse, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka theksuar për RTK-në se lajmin për vendimin e Ministrisë së Pushtetit Lokal e kuptoj nga rrjetet sociale dhe mjetet e tjera të informimit për iniciativën e largimit të kryetarëve të komunave në veri. Ai e ka vlerësuar si një vendim të ngutshëm dhe që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë zgjedhjeve demokratike në Kosovë.

“Unë lexova në rrjetet sociale dhe në mjetet e informimit se është marrë një vendim i tillë nga Ministria e Pushtetit Lokal, pra për iniciativën e largimit të kryetarëve të Veriut, për mendimin tim ky vendim është një vendim që në historinë e zgjedhjeve demokratike në Kosovë nuk ka ndodhur deri tash asnjëherë” , tha Izmir Zeqiri.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë mund të ketë pak sukses. “Unë e shoh duke u bazuar në rrethanat e tanishme që jemi, pra, duke e pasur parasysh të gjithë situatën, mendoj se mund të ketë shumë pak suksese”, tha ai duke shprehur se nuk ka premisa se mund të ndodhin zgjedhje të tanishme që mund të tregojnë suksese.

“Përkundrazi ato mund krijojnë edhe më shumë problem, por edhe ashtu në këtë kohë unë personalisht nuk shoh kushte që të mbahen zgjedhje”, ka theksuar Zeqiri.

Ndër të tjera ai tha se ende nuk e ka njoftuar askush zyrtarisht për këtë vendim. “Mua askush nuk më ka njoftuar zyrtarisht për këtë vendim, krejt nga ku jam informuar janë rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit. Për mendimin tim ky nuk është vendim i duhur shkarkimi ynë në këtë mënyrë”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme