Krasniqi: Udhëzimi administrativ do të vlejë për të gjitha komunat
Sh.Ç /RTKlive
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka sqaruar detajet lidhur me procedurat për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat veriore. Sipas tij, Grupi punues i themeluar duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë deri me 1 shtator të këtij viti, dhe se kjo do të vlejë për gjithë vendin e jo vetëm për veriun.
Ministri Elbert Krasniqi, ka deklaruar se udhëzimi administrativ, që duhet të funksionojë si referim për qytetarët që përmes peticionit duan ta largojnë një kryetar komune, nuk është udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, por për të gjitha komunat.
“Sa i përket largimit të kryetarëve të komunave unë besoj që kryetarët kanë fituar një mandat. Largimi i tyre nga zyrat e kryetarit është e përcaktuar me ligj dhe dorëheqja e secilit kryetar të komunës nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër ose nga asnjë autoritet tjetër për shkak se mandati është personal dhe kryetari e ka fitu atë mandat”, ka theksuar ai.
Ministri Krasniqi ka thënë se kërkesa për largimin e kryetarëve të komunave nw veri është kërkesë e Serbisë. Ndërkaq, për Listën Serbe ka theksuar se nuk vepron asnjëherë në të mirë të Kosovës.
“Kërkesa për largimin e kryetarëve apo për dorëheqjen e kryetarëve është kërkesë e Serbisë dhe nuk dëshiroj të komentoj ma shumë. Unë nuk mund të flas për Listën Serbe, por çka mund të them për situatën aktuale çka do që ata veprojnë e mendojnë asnjëherë nuk është në të mirën e Republikës së Kosovës dhe institucionet demokratike të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.
Kurse, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, nuk është pajtuar me ministrin Krasniqi. Ai ka thënë se peticioni nuk është adekuat për zgjidhjen e problemeve politike.
“Është e vërtetë se duhet të krijohet një zgjidhje atje, duhet të gjendet një rrugë që të dilet nga kjo situatë. Po e kundërshtoj ministrin.. nuk besoj që ky mekanizmi i peticionit është mjet adekuat për të zgjidh problemet politike. Sepse kjo mund të riciklohet, pas tre muaj të mbahen zgjedhjet, prapë edhe një peticion tjetër. Është e vërtetë që ka mangësi. Çështja e veriut është politike, nuk është çështje legjislative, duhet të gjendet një zgjidhje e që mendoj që është në përgjegjësinë e qeverisë dhe ministrisë”, ka deklaruar Ahmeti.























