Vavalis parasheh ndeshje të vështirë po thotë se edhe Drita ka shanse
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Dritës, Akis Vavalis ka paraparë ndeshje të vështirë kundër Viktoria Plzen në Conference League. Po megjithatë ai është shprehur se skuadra e tij i ka shanset e veta.
Ndeshja e parë në Plzen ishte mbyllur me rezultat të barabartë 0-0. Fituesi i takimit do të kalojë në rrethin e tretë të garës.
Trajneri grek ka folur një ditë para ndeshjes.
"Nesër do të takohemi përsëri me ekipin e Viktoria Plzen ku do të jetë nje ndeshje mjaft e vështirë. Sa i përket bindjes time, do të jetë një ndeshje edhe më e vështirë se që e kishim në Çeki. Pas ndeshjes së parë kemi një rezultat pozitiv po kemi edhe një ndeshje dhe kjo nuk do të thotë asgjë", ka thënë ai. "Kemi pasur kohë të përgatitemi mjaft po që dihet që kemi pasur edhe udhetimë, por do të luftojmë për shanset tona".
vavalis ka thënë se në përgjithësi është i kënaqur me atë që e kanë dhënë lojtarët, duke pritur të njëjtën edhe nesër.
"E di që ekipi i Viktoria Plzen është favorit, ashtu ka qenë edhe në ndeshjen e parë, por mendoj që do të jemi në përparësi të vogël për shkak të fushës si vendas dhe mbështetjes së madhe që do të na japin tifozët tanë nga minuta e parë deri në fund. Pavarësisht se si do të ndodhë në ndeshjen e nesërme, jam shumë i lumtur për lojtarët e mi dhe e di që pavarësisht rezultatit ne nuk do të kursehemi në fushë për klubin dhe të gjithë tifozët", është shprehur ai.























