Thaçi: Sesioni pranveror i Kuvendit shfaqi mangësi
E.Hoti/ RTKlive
Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar raportin analitik për zhvillimet gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, me titullin: "Ligjvënia mes shumë sfidave". Ky raport është rezultat i monitorimit sistematik fizik dhe elektronik të KDI-së.
Hulumtuesi i KDI-së, Arbër Thaçi, tha se sesioni pranveror ka prodhuar disa situata të papritura dhe ka vazhduar të shfaqë mangësitë, të cilat i ka pasur edhe paraprakisht Kuvendi i Kosovës.
“Në kuptim të dinamikës së punës Kuvendi është shoqëruar me një dinamikë të shtuar në momente të caktuara, mirëpo me pauza në momente tjera.Kësisoj mund të pohojmë se Kuvendi ka kaluar sesion përgjithësisht të zakonshëm në kuptim të zhvillimeve politike”, tha ai për "Info Plus" në RTK.
Sipas tij, një zhvillim i papritur kanë qenë skenat e shëmtuara të seancës në fillim të muajit meqenëse në kuptim të ngjarjeve që kanë ndodhur historikisht në Kuvendin e Kovës, ajo ka qenë e paprecedentë.
“Kulmimi i gjuhës jo parlamentare në atë rrahjen fizike ka qenë krejtësisht i papritur dhe i shëmtuar. I papritur mbase ka qenë edhe trendi i përkeqësimit të gjuhës parlamentare meqenëse duke pasur parasysh përsëritjen e vazhdueshme të saj në të kaluarën pritshmëritë kanë qenë që do të kemi masa të ndërmarra nga ekzekutivi në Kuvend. Mund të pohojmë që gjuha parlamentare është përkeqësuar në Kuvendin e Kosovës. Veçanërisht më tepër se sa përkeqësim kemi një lloj perceptimi normal të gjuhës jo parlamentare”, tha ai.
Problemi i mungesës së deputetëve, sipas tij ka qenë i theksuar gjatë këtij sesioni pranveror.
"Në bazë të të dhënave që kemi diku rreth 22.5 për qind të deputetëve kanë munguar në secilën seancë. Tendenca për të munguar më tepër shtrihet te partitë opozitare.Kjo ka shkaktuar edhe mospërmbushjen e agjendës legjislative”, tha ai.
Thaçi bëri të ditur se gjatë këtij sesioni, Kuvendi ka mbajtur 49 seanca prej të cilave 22 janë seanca plenare, 17 nga to janë vazhdime të seancave plenare.
Ai tha se sesioni vjeshtor do të jetë shumë i ngarkuar duke pasur parasysh edhe numrin e ulët të realizimit të agjendës parlamentare. “Duke e pasur parasysh edhe klimën parlamentare të ndërtuar dhe polarizimin ekzistues, sesioni vjeshtor mbase do të ketë probleme të theksuara të cilat në raste të caktuara do të vështirësojnë edhe mbarëvajtjen e punës në Kuvend”, tha ai.























