KFOR, Policia e Kosovës e EULEX diskutuan për masat e shtensionimit në veri
BKT
Lajme

KFOR, Policia e Kosovës e EULEX diskutuan për masat e shtensionimit në veri

Edina Avdiu|RTK

Edhe të mërkurën ndërtesat komunale po ruheshin nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës por edhe nga KFOR-i. Ani pse prezenca e tyre u zvogëlua për 25%, ata po vazhdojnë të kujdesen për rend e siguri në këto komuna.

Por a mund të ketë sërish zvogëlim të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale?

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Pietro Barbano në një postim në 'Twitter', ka thënë se për këtë mund të vendoset gjatë ditëve të ardhshme.

“Dje pata një diskutim shumë të frytshëm me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia: Ramë dakord për modalitetet e përgjithshme për ta forcuar më tej bashkëpunimin dhe bashkërendimin tonë të vazhdueshëm në mbështetje të stabilitetit në Kosovë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj. Në ditët në vijim presim takime teknike vijuese me Policinë e Kosovës për të kryer vlerësime të përbashkëta dyjavore të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it dhe, sipas rastit, me KFOR-in”, Pietro Barbano në Twitter.

Se në ditët në vazhdim mund të ketë një vendim për zvogëlim të prezencës policore, e konfirmon edhe zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, raporton RTKlive.

“Atë që mund të konfirmoj është se drejtori i përgjithshëm i policisë e ka formuar një grup punues pjesë e të cilit jam edhe unë. Vendimi do të merret pas konsultimeve me partner ashtu si e parasheh edhe marrëveshja. Kështu që po, në ditët në vijim do të kemi me siguri një vendim që do të merret nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, pra nga ana jonë dhe nga partnerët e tjerë”, tha Veton Elshani.

Elshani thotë se numri i policëve në veri është i mjaftueshëm dhe janë të gatshëm të ofrojnë siguri në këtë pjesë.

Në takimin e 10 korrikut në Bratislavë ishte arritur ujdi për zvogëlim në masën e 25% të prezencës policore.


MË SHUME NGA Lajme