Çitaku: Prokuroria t’i hetojë korrupsionin dhe skandalet e Qeverisë Kurti
BKT
Lajme

Çitaku: Prokuroria t’i hetojë korrupsionin dhe skandalet e Qeverisë Kurti

Visar Shatrolli /RTK

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka denoncuar korrupsionin dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë, të cilat kanë prekur shumicën e sektorëve dhe institucioneve.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka theksuar se është e pakuptueshme mbrojtja e Qeverisë dhe Kryeministrit ndaj këtyre aferave, derisa i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojnë secilin rast të raportuar nga mediet.

“Çdo ditë po pasurohet albumi i korrupsionit të kësaj Qeverie. Raportimet e medieve, po tregojnë që eksponentë të partisë-shtet, nuk kanë lënë asnjë sektor pa shtrirë rrjetin e korrupsionit, përfshirë edhe në gjërat më esenciale: Rrymë, grurë e vaj. Dje, pamë edhe raportimet për abuzim të fondeve që janë të paraparave për komunitete dhe rastësisht na doli që personat që kanë përfituar, të jenë familjarë të ministrave të kësaj Qeveri. Shumë prej tyre nuk e kishin as idenë më të vogël se për çka kanë përfituar ato fonde. Përballë krejt kësaj situate, më skandaloze se aferat, kanë qenë reagimet e Kryeministrit Kurti dhe eksponentëve të Qeverisë. Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë dhe shpërfillje, derisa, në rastin më të keq, ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe medieve. Ftojmë institucionet e rendit, policinë dhe prokurorinë, që urgjentisht të hetojnë të gjitha aferat e kësaj Qeverie dhe të mos lejojnë prishjen dhe humbjen e provave: Sikur që kanë humbur vajin dhe grurin!”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, Qeveria Kurti nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve të cilët po i zbulojnë rastet korruptive dhe rendit e ligjit, që po i hetojnë ato.

“Ambasadori Martin Berishaj vazhdon të jetë në detyrë, përkundër fakteve të shpalosura të cilat e lidhin me shpërdorimin e miliona eurove. Nagip Krasniqi, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mik i Kryeministrit Kurti, përkundër arrestimit të tij ai është vetëm i pezulluar nga detyra, por jo edhe i përjashtuar. Rozeta Hajdari, e cila ka blerë grurë prej kompanive të ndërtimit, e gruri nuk ka ardhur asnjëherë në Kosovë, vazhdon të mbetet ne detyrë. Pesë ministra, zëvendësministra e shumë zyrtarë të tjerë, në shumë institucione, sot janë nën hetime nga Task-Forca Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës. Asnjë llogaridhënie deri më tash, përkundrazi, kjo Qeveri nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por gazetarëve, të cilët po e zbulojnë korrupsionin dhe rendit e ligjit, të cilët po e hetojnë atë”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka theksuar se audio-incizimet e publikuara në media kanë shpërfaqur presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë nga zyrtarët shtetërorë, për ta shkelur ligjin.

Çitaku mirëpret vendimin e Komerciales për Klan Kosovën

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për shtyrje të vendimit të nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve.

Ajo ka thënë se kjo është një fitore për gazetarët dhe lirinë e medieve në vend.

“Sot ka qenë një fitore për gazetarët, për solidaritetin që keni treguar për njëri-tjetrin dhe shpresoj që të mbetet beteja e fundit që ne si shoqëri duhet ta ndërmarrin kundër përpjekjeve totalitare të qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.


MË SHUME NGA Lajme