Davenport viziton RTK-në, OSBE me donacion për njësinë e re
BKT
Në Fokus

Davenport viziton RTK-në, OSBE me donacion për njësinë e re

Arlinda Sejda / RTK

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport ka vizituar sot Radiotelevizionin e Kosovës duke dhuruar edhe një donacion prej disa kompjuterësh, të cilët do të shërbejnë për funksionalizimin e njësisë për verifikimin e lajmeve në kuadër të RTK-së.

Kryetari i Bordit të RTK-së dhe menaxhmenti i RTK-së vlerësuan lart këtë mbështetje nga OSBE, derisa thanë se RTK do ta fuqizojë partneritetin me OSBE-në, duke zbatuar disa nga projektet zhvillimore për këtë vit dhe vitet në vazhdim.

Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës dhe kryetari i Bordit kanë pritur në vizitë shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport. Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për transmetuesin publik të vendit, kësaj radhe OSBE ka dhuruar një donacion me kompjuterë, me ç’rast do të krijohet një njësi në kuadër të RTK-së për verifikimin e lajmeve dhe luftimin e lajmeve të rreme.

“Jemi të lumtur që kemi mundësi ta vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet misionit të OSBE-së dhe RTK-së. Falënderoj lidershipin e RTK-së që më ka ftuar sot. Jemi shumë të lumtur që ndihmojmë RTK-në me pajisje të cilat i ka kërkuar. Me kënaqësi kemi pranuar që ta mbështesim profesionalizimin e RTK-së në profilizimin e ‘fact cheking’-ut, në luftimin e lajmeve të rreme dhe dezinformimin, meqë kjo po bëhet çdoherë e me shumë e rëndësishme. Shpresoj që së shpejti kjo të funksionalizohet dhe gjithashtu shpresoj në bashkëpunimin e mëtutjeshëm të misionit të OSBE-së dhe RTK-së, në të gjitha aspektet”, ka theksuar Michael Davenport, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Bordi dhe menaxhmenti vlerësuan lart përkrahjen e OSBE-së për RTK-së, derisa thanë se në takim me ambasadorin Davenport janë shprehur edhe kërkesat e tjera, të cilat mediumi publik i ka të nevojshme.

“Realisht në këtë kohë me zhvillimin e teknologjisë jemi duke u përballur edhe me lajme të rreme, prandaj ne si transmetues publik jemi ata që i informojmë qytetarët dhe do t’i informojmë në mënyrën më të saktë të mundshme. Falë mbështetjes së OSBE-së me kompjuterë dhe pajisje tjera një ekip i RTK-së do t’i verifikojë faktet dhe lajmet gjatë ditës”, ka thënë kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Ai ka thënë se shpreson që kjo iniciativë do të funksionojë dhe RTK do të bëhet adresa e lajmeve të konfirmuara, duke u mbështetur në këtë njësi që do të vihet në funksionalizim.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë se kjo ndihmë ka ardhur në kohën kur RTK ka hyrë në fazën shumë të rëndësishme të reformës së rikonstruktimit. “Jemi në një fazë kur ne kemi nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e partnerëve tanë dhe kjo ndihmë ka ardhur pikërisht në kohën e duhur sepse tani jemi duke e funksionalizuar një gjë të cilën e kemi proreklamuar që disa muaj. Pra, funksionalizimin e njësisë për verifikimin e lajmeve. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për mediumin publik sepse do të ndikojë drejtpërdrejt në besueshmërinë tonë si transmetues publik, pra ka mision parësor informimin e drejt dhe të paanshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Ahmetxhekaj.


 


MË SHUME NGA Në Fokus