Liriku klasicist i metaforave të jetës njerëzore
Arben Veselaj/ RTK-Radio
Dita e parë e gushtit të sivjetmë shënoi 86-vjetorin e vdekjes së lirikut të madh të letërsisë shqipe - klasicistit të papërsëritshëm, Ndre Mjedës (Shkodër, 19 nëntor 1866 - Shkodër, 1 gusht 1937).
Për gati një shekull letërsia shqipe nuk njohu një tjetër klasik, një tjetër mjeshtër të vargut dhe një tjetër zotërues të dellit poetik të shqipes, si Ndre Mjedën.
Mjeshtër i madh i vargut dhe stilist i përkryer Mjeda ndoshta i krijoi vargjet më të bukura dhe më të ndiera në gjithë letërsinë shqipe deri më sot.
Me poemat “Vaji i Bylbylit”, “Andrra e jetës” dhe “Lirija”, si dhe me sonetet (tingëllimat) “Scodra” dhe “Lisus”, ai ia dha karakterin e munguar klasicist letërsisë shqiptare.
Me vjershërimin e tij Mjeda solli në letërsinë shqipe shumëçka nga shkolla letrare e parnasistëve francezë: përkryerjen e formës, semantikën e vargut, muzikalitetin, rimën e brendshme, monoirimën etj.
Vepra e parë e Mjedës, “Vaji i bylbylit”, është vlerësuar si një prej veprave më të bukura poetike të letërsisë romantike shqiptare. Prej shumë studiuesve kjo poemë është interpretuar si një metaforë lirie - sa personale po aq dhe kolektive.
Poema “Vaji i bylbylit”, qysh në kohën e botimit (1887), u bë shumë popullore, hyri në tekstet e para të shkollave shqipe, u botua dhe u ribotua shumë herë në shtypin shqiptar të kohës, u bë frymëzim edhe për shumë vepra e për shumë autorë të tjerë të letërsisë shqipe.
Poema tjetër e Mjedës “Andrra e jetës” (u botua për herë të parë më 1917, në përmbledhjen “Juvenilia”) shënon një kapërcim tjetër cilësor në letërsinë shqipe. Ajo erdhi në kohën kur në horizontin letrar po shfaqej realizmi si formacion i ri stilistik e filozofik, andaj si e tillë, ajo bartë edhe shenjat e para të realizmit në letërsinë shqipe.
Studiuesi i historisë së letërsisë shqiptare, Rexhep Qosja, këtë poemë e ka quajtur “kryemetaforë të jetës njerëzore”. Sipas tij, poema “Andrra e jetës” është metafora më kuptimplote dhe më e bukur e shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe.
Ndre Mjeda shkroi edhe dy kryeveprat sonetike (tingëllima) të letërsisë shqipe: “Scodra” dhe “Lissus”. “Lisus” (u botua më 1921) dhe “Scodra” (u botua më 1940) janë vepra ku sensi romantik vishet me një vel klasicist. Këto dy tingëllima karakterizohen me një stil të përkorë retorik.
Ndre Mjeda për dallim nga shumë poetë të tjerë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si dhe atyre të periudhës së Indipedencës, e përjetoi fatin e poetit të ndaluar dhe të burgosur. Për shkak të aktivitetit në përhapjen e shkollave dhe librave në gjuhën shqipe, si dhe në përhapjen e ideve politike që bënin thirrje për kryengritje kundër pushtimit otoman, u burgos dhe u keqtrajtua disa herë nga autoritetet pushtuese.
Gjatë kohës së përndjekjes nga autoritetet turke, Mjeda, natyrisht, nuk pati mundësi t’i botonte veprat që shkruante. Deri në vitin 1917 kur e botoi në Vjenë përmbledhjen me titull “Juvenilia”. Aty ai përmblodhi shumë poezi, poema dhe disa përkthime.
Studiuesi dhe albanologu i mirënjohur kanadez, Robert Elsie, në një studim më të gjerë për veprën e Mjedës, thotë se titulli i kësaj përmbledhjeje - pra “Juvenilia”, nuk është rastësi, pasi, sipas tij, edhe Mjeda ndoqi shembullin e poetit Italian, Karduçi (Giosué Carducci, 1835-1853), me librin homonim “Iuvenilia”, që përfshinte jo vetëm poezi origjinale të shkruara nga vet ai, por edhe përshtatje nga poezitë a autorëve të tjerë.
(Për më shumë rreth veprës letrare të Ndre Mjedës, ndiqeni emisionin “Libri”, në Programin 1, RTK-Radio, sonte (e premte, 04.08.2023), duke filluar nga ora 21:05, në valët 95.7 MHz dhe në internet:http://www.rtklive.com/sq/livestream/radiokosova)























