Tërheqja e Policisë, ekspertët: Policia duhet të jetë çdo herë gati
Ardiana Hajzeri/ RTK-Radio
Zvogëlimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri, njohës të çështjeve të sigurisë në vend po vlerësojnë se kjo është pjesë e marrëveshjes pas presionit që është bërë nga bashkësia ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri të vendit
Fadil Kajtazi i tha Radio Kosovës së largimi i Policisë së Kosovës do të zëvendësohet nga pjesëtarë të EULEX-it dhe KFOR-it dhe së është e nevojshme që Kosova t’i kthehet procesit politik.
“ Ne duhet t’i kthehemi një procesi politik nga pika zero dhe klasa politike që qeverisë me Kosovën duhet ta kaptojë këtë, dhe është dashur ta kuptojë edhe më herët, pasi pasojat janë të mëdha. Tërheqja e Policisë nga veriu do të zëvendësohet nga prezenca e Policisë së EULEX-it dhe pjesëtarë të KFOR-it “, tha ai.
E, Nuredin Ibishi i tha Radio Kosovës së pavarësisht reduktimit, Policia do të jetë gjithmonë në gjendje gatishmërie.
“Kjo nënkupton se ata do të largohen nga aty, por do të jenë çdo herë prezentë në atë pjesë dhe pjesët e tjera të vendit sa herë është nevoja. Dhe se a do të jenë në pjesën veriore është çështje operacionale. Por do të mbetën çdo herë në gatishmëri për të ndërhyrë nëse eventualisht prishet rendi dhe qetësia publike”, theksoi Ibishi.
Më 13 korrik janë larguar 25 për qind e Policisë së Kosovës nga dhe rreth objekteve komunale në veri, sipas marrëveshjes së dakorduar për shtensionimin e situatës.
Policia po ashtu ka bërë të ditur se bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, do të vijojë koordinimin dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme, sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës së Kosovës.























