Dënimi i Krivaqës e Sejdiut, Haxhiu: Gjykim i drejtë për krimin mizor
BKT
Lajme

Dënimi i Krivaqës e Sejdiut, Haxhiu: Gjykim i drejtë për krimin mizor

E. Hoti / RTKlive

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, kurse Arber Sejdiun me 15 vjet burgim, për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani. Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu..

Ministrja Haxhiu ka thënë se ky është një gjykim i drejt për krimin mizor.

 “Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu. Ndërgjegjja kolektive mbase mund të jetë më e qetë kur drejtësia në emër të popullit, vihet siç duhet”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka uruar që drejtësia ndaj rasteve të dhunës e vrasjeve të grave të jetë në nivelin më të lartë profesional

“Uroj që drejtësia ndaj rasteve të dhunës e vrasjeve të grave të jetë në nivelin më të lartë profesional, duke shqiptuar dënimet më meritore, të pa ndikuara dhe të pa ngarkuara nga mendime provinciale e patriarkale siç kemi parë në të kaluarën”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Edhe përkundër dënimit  Krivaqa dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Dy persona, tash të dënuarit Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.


MË SHUME NGA Lajme