Osmani: Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital
E. Hoti / RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas dënimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në Ferizaj.
Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se autorët e femicidit meritojnë dënim kapital. Ajo tha se ky duhet të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet.
“Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital. Ashtu siç u dënua sot vrasësi e torturuesi i Marigona Osmanit. Le të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet. Dhuna nuk do të tolerohet! Femicidi do të ndalet!”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ndryshe Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, kurse Arber Sejdiun me 15 vjet burgim, për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.
Megjithatë ata u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.























