Dugolli: Po bëhen veprime e përpjekje për organizim të zgjedhjeve në veri
Blerim Halimi | RTKlive
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh anëtari i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli e ka vlerësuar lajm të mirë reduktimin edhe për 25 përqind të forcave të rendit nga dhe përreth objekteve komunale në veri të vendit.
Ai në një intervistë për “Info Plus” në RTK, ka thënë se ka 1 muaj e gjysmë që nuk ka protesta të dhunshme në atë pjesë të vendit dhe as banda që sulmojnë objektet komunale, që sulmojnë KFOR-in apo gazetarët.
“Reduktimi i forcave policore vjen në kuadër të përpjekjeve për deeskalimin e situatës dhe për t’i hapur rrugë zgjedhjeve në veri, e krejt kjo në kuadër të marrëveshjes në Bratisllavë ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, ka thënë Dugolli.
Ai ka thënë se hapi i parë ishte reduktimi për 25 përqind, e tani pas vlerësimit të përbashkët të Policisë së Kosovës, me EULEX-in dhe KFOR-in ka ndodhur edhe hapi i dytë për reduktim tjetër prej 25 përqind.
“Tani nuk kemi turma të ndryshme që i cenojnë objektet institucionale. Po shkohet me hapa të sigurt me rivlerësim të situatës dhe konform rezultateve po ndërmerren edhe masat. Jemi të vetëdijshëm se ende ka probleme në veri të Kosovës dhe nuk do të ndihemi assesi komod dhe të bëjmë hapa të pamatur sa i përket situatës së paqes dhe sigurisë. Nuk them që janë zhdukur bandat, por një pjesë kanë ikur në Serbi e një pjesë tjetër kurdo që përballen me forcat e policisë do të veprohet konform ligjit”, ka theksuar Dugolli.
Megjithatë, ai ka thënë se një gjë duhet të kuptohet se nuk ka të bëjë me tërheqje të policisë nga veriu.
“Thjesht po bëhet shpërndarja e tyre nëpër objektet e policisë atje ku është e nevojshme për të siguruar zbatim të ligjit, paqe dhe siguri.
Ai tutje ka thënë se hapi i tretë sipas marrëveshjes së arritur në Bratisllavë ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është organizimi i zgjedhjeve në komunat veriore.
“Po bëhen përpjekje e veprime që të ketë organizim të këtyre zgjedhjeve, paçka ne në vazhdimësi e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi se kryetarët aktual janë të ligjshëm ndonëse legjitimiteti sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në votime ka qenë paksa i cenueshëm, ngase ka dalë një numër i vogël, por kjo nuk e bën aspak të pavlefshme atë pjesëmarrje, ngase bojkoti që ndodhi ishte bojkot i sponsorizuar nga Serbia”, ka thënë Dugolli.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës bashkë me miqtë e saj dhe ndërmjetësuesit po punojnë që kur të shpallen zgjedhjet e parakohshme të ketë pjesëmarrje të komunitetit serb dhe të mos përsëritet e njëjta situatë.
Sa i përket opsionit më të mirë për shkuarje në zgjedhje në këtë pjesë të vendit, ai ka thënë se më të mundshëm e sheh opsionin e organizimit të peticionit nga qytetarët e asaj pjese.
“Ka mundësi e forma të ndryshme ligjore, të pranueshme dhe të zbatueshme. Dorëheqja është një akt personal, e në të cilën ne nuk do të insistojmë dhe nuk do t’ua kërkojmë dorëheqjen. Më shumë e shoh të mundshëm variantin tjetër me organizimin e njëlloj peticioni të qytetarëve të asaj ane, të cilët do të konfirmonin se duan të organizojnë zgjedhje të reja për një vullnet tjetër politik, i cili do të nxirrte mbase kryetarë tjerë”, ka nënvizuar Dugolli.























