Salla e djegur së shpejti rivitalizohet për Festivalin e Këngës në RTK
Arlinda Sejda/RTK
Salla e djegur e Pallatit të Rinisë, në fund të tetorit do të marrë pamje të re. Ajo do të shndërrohet në sallë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës.
"Festivali i këngës është një event fantastik i cili do ta ngritë kryeqytetin në një platformë në të cilën meriton të jetë dhe kjo do të bëhet në një set fantastik përbrenda Pallatit të Rinisë. Pra, salla e djegur e cila me vite të tëra ka qëndruar ashtu e pa përdorur dhe ka qenë në një gjendje shumë të keqe, do të rivitalizohet dhe do të shfrytëzohet si set i këtij festivali madhështor në kryeqytet", tha Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.
Rivitalizimi i sallës së djegur dy dekada më parë, do të mundësohet falë një marrëveshjeje ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtorit të Festivalit, Adi Krasta.
"E kemi parë sallën e djegur që në ditën e parë, por ajo do të transformohet plotësisht si një set xhirimi. Kryetari Rama ka qenë shumë dashamires, si arkitekt e ka kuptuar se çka mund të ndodhë në sallë, ndërsa festivali i këngës është një aktivitet madhor. Festivali i këngës është si një televizion brenda një televizioni, nuk janë vetëm tre netë dhe nuk është vetëm një shfaqje por janë disa netë dhe disa emisione paralele te cilat zhvillohen në sallë”, tha Adi Krasta, drejtor I Festivalit të parë të këngës në RTK.
Punimet në sallë do të fillojnë menjëherë dhe do të realizohen nga një ekip i specializuar i Ndërmarrjes Publike Banesore.
"Salla do t'i përmbajë të gjitha kriteret për realizmin e spektaklit. Tashmë kemi një plan i cili do të realizohet. Pritet të fillojë në javën e ardhshme dhe shumë shpejt do të arrijmë që në aspektin teknik salla të jetë shumë shpejt funksionale”, tha Drilon Pireva nga Ndërmarrja Publike Banesore.
Ndërkohë, një ekip i RTK-së do t`i përcjellë vazhdimisht punimet në sallë, e cila do të bëhet gati për ndërtimin e skenës së festivalit, që do të mbahet më 26, 27 dhe 28 tetor 2023.



























