Gashi: Fitorja jonë në gjykatë, fitore për lirinë e shprehjes
BKT
Lajme

Gashi: Fitorja jonë në gjykatë, fitore për lirinë e shprehjes

B. H. | RTKlive

Kryeredaktori i portalit “Kallxo.com” Kreshnik Gashi ka thënë se me vendimin e Gjykatës së Prishtinës për rastin Devolli, për anulimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Mediave, me të cilin emisionit “Jeta në Kosovë” i kishte shqiptuar vërejtje pas transmetimit të hulumtimit televiziv “Monopoli me dritë të diellit”, gazetaria në Kosovë ka fituar shumë.

Megjithatë, ai ka thënë se është për t’u dhimbsur fakti se si kolegët gazetarë nuk e raportuan një fitore kaq të madhe për lirinë e shprehjes në vendin tonë.  

“Është problem i madh qysh njerëzit të cilët çdo ditë thirren në lirinë e shprehjes nuk e kanë raportuar këtë fitore të madhe që e kemi realizuar”, ka thënë Gashi në magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK.

Ai ka thënë se vendimi nuk është publikuar sot, është publikuar parmbrëmë dhe sipas tij kanë kaluar 48 orë deri në momentin kur është parë një interesim i medieve tjera për ta raportuar këtë lajm.

“Përderisa lajmet të cilat lidhen me vendimet e tjera të gjyqësorit për çështje të medieve të tjera janë raportuar me shpejtësi të dritës, vendimet e tilla prej medieve të Republikës së Kosovës që janë të regjistruara në Kosovë nuk janë pritur me shpejtësinë e dritës por janë pritur  çështje të caktuara”, ka thënë Gashi.

Ai tutje ka thënë se fillimisht ka qenë reagimi i tij para kryeredaktores së BIRN-it, Jeta Xharra, ku ka kritikuar mediat në Kosovë, përfshirë televizionet nacionale, përjashtuar televizionin publik, për mosraportimin e kësaj ngjarje.

“Arsyeja që e kam bërë këtë është fakti se ky është një vendim historik, i cili shënon në analet e reformës, në analet të drejtës mediale, në analet e lirisë së shprehjes një vendim historik, që nënkupton dhe sqaron të drejtën e gazetarëve dhe limitet e gazetarëve në lirinë e shprehjes. Pra e drejta për të raportuar, e drejta për t’u mbrojtur është sqaruar konform këtij raportimi.

Ajo pse e kam bërë këtë reagim nuk ka qenë thjesht për t’i kritikuar kolegët por për t’iu treguar që thjesht duhet të kërkosh edhe disa përgjigje te tjerët, e që lidhen me disa elemente shumë të rëndësishme që kanë mbetur të paraportuara”, ka shtuar ai. 


MË SHUME NGA Lajme