Tragjedia në Prishtinë, Dukagjin Nikollaj, i kërkuar nga FBI-ja|Video
Arbresha Berisha/RTK
Pas përleshjes e cila përfundoi tragjikisht në kryeqytet, Dukagjin Nikollaj, i cili ishte i përfshirë në të, ka arritur t’i shmangej policisë.
Nikollaj tash e disa vite është në listën e personave të kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve për përfshirjen në disa vepra penale.
I njëjti raportohet se është pjesëtar i organizatës kriminale “Krasniqi” dhe se dyshohet kryesisht për vepra penale që kanë të bëjnë me trafik droge.
Urdhër arresti për të ishte lëshuar në maj të vitit 2010 nën akuzat për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Sipas FBI-së, nga viti 2003 deri në vitin 2007, Nikollaj dyshohet të jetë përfshirë në blerjen e sasive të mëdha të marihuanës nga Kanada dhe shpërndarjen e saj në zonën e Nju-Jorkut.
Ndërkaq, i dyshuari tjetër për ngjarjen tragjike, raportohet të jetë i njohur për policinë, pasi edhe më parë ka qenë i përfshirë në vepra tjera penale.
Në lidhje me të kaluarën kriminale të personave të përfshirë në përleshjen e së premtes, RTK ka kërkuar informacione edhe nga Policia e Kosovës.
Por ajo ka thënë se ligjet në fuqi nuk ia lejojnë ofrimin e këtyre të dhënave.
Njohës të fushës së drejtësisë kanë thënë se raste të tilla do të mund të parandaloheshin nëse policia e prokuroria nuk do t’i mbyllnin sytë karshi këtyre personave.























