Sveçla pas aksionit të `Tre Rrokaqiejt`: Veriu po ecën drejt normalitetit
BKT
Lajme

Sveçla pas aksionit të `Tre Rrokaqiejt`: Veriu po ecën drejt normalitetit

B. H. | RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se prioritet i ekzekutivit është luftimi i krimit të organizuar në çdo cep të vendit, derisa ka vlerësuar se veriu i Kosovës po i kthehet normalitetit.

Reagimi i tij vjen pas aksionit të sotëm të policisë në veri ku në një banesë te ‘Tre Rrokaqiejt’, janë gjetur 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrike që shfrytëzohen për rritje të kanabisit, llamba elektrike për laboratorë, si dhe 51 fishekë e 8 mjete shpërthyese të improvizuara.

“Për më shumë se 20 vite, veriu i shtetit tonë kryesisht ka jetuar në ilegalitet. Grupet dhe veprimtaritë kriminale kanë lulëzuar e paradoksalisht kanë qenë normaliteti. Ky realitet i mëparshëm po zbehet ditës-ditës. Qytetarët tanë pa dallim kërkojnë rend, ligj e siguri”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.

Ai tutje ka thënë se aksioni i sotëm i policisë është bërë në saje të bashkëpunimit me qytetarët, derisa ato që janë gjetur sot në aksionin policor janë dëshmi e trefishtë:

“Është një dëshmi më shumë për sulmet ndaj zyrtarëve tanë policorë,  pjesëtarëve të KFOR-it e Eulexit, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm;  Është dëshmi lidhur me kontingjentin e kriminelëve argatë të idesë fashiste të Vuçiqit: bota serbe. Bota serbe është gjithnjë e dizajnuar mbi krimin; Është dëshmi e arsyes së vërtetë se përse Vuçiqi dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar. Ndaj ne po punojmë progresivisht që pesha e krimit mos të bjerë mbi qytetarët e ndershëm të Republikës. Aksioni është arritur falë dhe bashkëpunimit të qytetarëve të pjesës veriore, në luftën ndaj krimit të organizuar si dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë”, ka shkruar tutje Sveçla.

Ai ka thënë se kjo është një nga shembujt që mbështet të dhënat e raportit të UNDP-së. Në këtë raport, sipas Sveçlës, theksohet se është rritur ndjenja e besueshmërisë dhe sigurisë tek qytetarët tanë të minoritetit serb.

“Për vite me radhë, në veri shteti është sfiduar nga ekstremistë e kriminelë ordinerë. Ata kanë pasur dy motive: pasurimin e jashtëligjshëm dhe luftimin e shtetit të Kosovës. Adresa, shtysa dhe financimi gjithmonë mbetet në Beograd, ku Vuçiqi me bandat e kriminelët e tij ka tentuar dhe vijon të tentojë minimin dhe destabilizimin e shtetit tonë. Veriu po ecën drejt normalitetit. Serbia nuk do ta cenojë shtetin tonë në asnjë cep të vendit”, ka nënvizuar ministri i Punëve të Brendshme.


MË SHUME NGA Lajme