Maqedonci merr detyrën: Synojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO
BKT
Lajme

Maqedonci merr detyrën: Synojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO

E. Hoti / RTKlive

Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pranuar detyrën nga ish-ministri Armend Mehaj. Ai ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti për besimin dhe mbështetjen.

Në një postim në Facebook, Maqedonci ka thënë se ndihet i nderuar të vihet në krye të dikasterit që bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj”, tha ai.

Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ai tha se ndihet si në shtëpinë  e tij.

“Andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-ministri Armend Mehaj në prani të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit”, ka shkruar ai në Facebook.

Maqedonci ka thënë se pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri.

“Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ju falënderoj të gjithëve për urimet që më keni dërguar. Shumë punë na presin përpara, bashkë me Kryeministrin Albin Kurtin, me komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje Maqedonci.

Mehaj ka dhënë dorëheqje sot nga pozita e ministrit të Mbrojtjes. Në një shkrim në Facebook ai ka thënë se këtë po e bën për arsye familjare.


MË SHUME NGA Lajme