Llumnica: Punëtorët e sigurimit fizikë të kthehen në KEK
E. Hoti / RTKlive
Nexhat Llumnica nga Sindikata e Re e KEK-ut ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mos tenderohet jashtëligjshëm departamenti i punëtorëve fizikë të KEK-ut.
“Prej vitit 2007 këta punëtorë është dashur të kthehen në KEK sepse në vitin 2004 këta janë huazuar tek një kompani private me të drejtë ligjore, mirëpo është e jashtëligjshme që këta punëtorë dhe ky departament të tenderohet në vazhdimësi”, tha ai.
Sipas tij, gjatë kohës kur Vetëvendosje ishte në opozitë ka premtuar se këta punëtorë kanë të drejtë dhe se në momentin që e marrin pushtetin ata do ta rikthejnë këtë departament sepse është tenderuar paligjshëm.
“Ditëve të fundit e kemi parë një fitues të shpallur nga Korporata Energjetike e Kosovës që do të thotë se nuk po ndalet trendi i tenderimit të jashtëligjshëm. Këta punëtorë normalisht kërkojnë të kthehen në vendin e tyre të punës ashtu siç kanë qenë sepse ky departament nuk është privatizuar. Nuk kanë marrë asnjë aksion, nuk kanë marrë asgjë prej Korporatës Energjetike të Kosovës siç kanë marrë shoqëritë aksionare, mirëpo vetëm janë huazuar dhe janë tenderuar”, tha ai.
Sipas tij, punëtorët e sigurimit fizikë janë të diskriminuar.“Edhe pagat janë të vogla në krahasim me punëtorët e KEK-ut. Disa herë kanë bërë padi në gjyq e disa janë ende nëpër gjykata, mirëpo nuk janë kthyer asnjëherë në punë ashtu siç ju takon e drejta e tyre e ligjshme”, ka thënë Llumnica nga Sindikata e Re e KEK-ut.
Ky departament i ka rreth 400 punëtorë dhe ata kërkojnë të kthehen në vendin e tyre të punës sepse, siç tha Llumica, "është edhe në interes të Qeverisë së vendit dhe të Korporatës Energjetike të Kosovës".























