Marigona Qerkezi në shtator sjell rolin e Aidës së Verdit
M.P. / RTKlive
Sopranoja e famshme shqiptare, Marigona Qerkezi ka qenë e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK për të folur për të arriturat e deritanishme dhe planet e mëtutjeshme operistike.
Temë kryesore e bisedës ka qenë roli i Aidës, vepër kjo e të famshmit Giuseppe Verdi, të cilën do ta interpretojë në shtator.
“Është me të vërtetë nder dhe privilegj kur gjithë ajo punë shumëvjeçare kurorëzohet me suksese, të besohen këto role të mëdha siç është Aida. Mezi po pres debutimin e radhës, përsëri në Spanjë aty ku e hapa këtë vit, por në një teatër tjetër”, tha Qerkezi për RTK-në.
Kësaj radhe Qerkezi do të ngjitet në skenë për të jetësuar rolin e Aidës në Pallatin e Operas në Coruña.
“Përveç që kanë përgjegjësi të madhe, edhe në historikun e operas janë interpretuar nga diva të mëdha. T’i japësh jetë secilit nga personazhet është përgjegjësi shumë e madhe dhe gëzohem shumë që në fund të një performance ka duartrokitje të madhe”, u shpreh sopranoja e famshme.
Tutje ka treguar se përzgjedhja në role kaq të mëdha ndikohet nga shumë faktorë, duke pasur parasysh faktin që konkurrenca është e jashtëzakonshme sepse është globale dhe rolet janë të një vështirësie të rrallë. Mirëpo sopranoja shqiptare ka thënë se kur artisti ngjitet në skenë, nuk i mendon vështirësitë të cilat i ka kaluar.























