Kurti: Zgjedhje në veri përmes peticionit
B. H. | RTKlive
Nënshkrimi i peticionit nga 20 për qind e elektoratit po shihet nga kryeministri Albin Kurti si mënyra më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit.
Një vlerësim të tillë i pari i ekzekutivit e ka bërë pas vizitës së sotme që pati në Komitetin Olimpik të Kosovës.
“Ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuam si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual. Jemi të hapur për këtë”, ka theksuar Kurti për Kosova Press.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se janë të gatshëm për shpërkallëzim të mëtutjeshëm, derisa ka kërkuar nga BE tërheqjen e masave ndaj Kosovës.
“Jemi të interesuar për deeskalim të mëtutjeshëm, ndonëse është konstatim i përgjithshëm se në masë të madhe deeskalimi tashmë ka ndodhur. Nuk kemi protesta të dhunshme, s’kemi incidente veçse duhet të jemi të kujdesshëm nga potencialiteti i rieskalimit. Dihet që adresa për këtë nuk ndodhet në Republikën e Kosovës, por në kryeqytetin e fqinjit tonë verior”, ka thënë tutje Kurti.























