Policia vazhdon operacionin “Goditja”/Video
Qëndresa Duraku Xharra/RTK
Policia e Kosovës po vazhdon të zhvillojë planin operativ "Goditja". Në detaje po kontrollohen veturat dhe personat që gjenden në veturë.
Shefi i Sektorit të Operativës Rajonale në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Prishtinë, major Bekim Bislimi, tha se qëllimi i këtij plani është krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë.
"Si pjesë e implementimit të këtij plani që e adresova janë njësitë e caktuara e që për qëllim kanë parandalimin e veprave penale, të natyrave të ndryshme duke përfshirë ato të bartjeve të mjeteve të kundërligjshme, armë zjarri por edhe të mjeteve të tjera. Njëkohësisht, parandalimin e substancave narkotike" , tha ai për RTK.
Bislimi thotë se gjatë verës predispozitat janë që të ketë më shumë kryerje të veprave penale.
"Ne jemi dëshmitarë që në të kaluarën se realisht njësitë policore hasin që gjatë pikave të kontrollit tek qytetarët e ndryshëm bartjen e armëve të zjarrit. Njëkohësisht, ky plan i quajtur "Goditja" ka për qëllim që sezona verore manifestohet me ahengje të ndryshme, dasma, edhe kemi gjuajtje me armë. I gjithë qëllimi është që edhe në kontekst të saj të merren masa, në bashkërendim edhe me Gjykatën edhe me Prokurorinë në parandalim, por njëkohësisht, edhe kapjen e atyre kryerësve të veprave në flagrancë, apo edhe veprimeve hetimore në vijim deri në kapjen e tyre. Gjithashtu, ky plan ka për qëllim ndalimin dhe arrestimin e personave me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata në nivel vendor njëkohësisht edhe në nivel ndërkombëtar" , tha ai.
Sipas të dhënave të Policisë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Prishtinës janë sekuestruar 4 armë zjarri dhe 43 fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, tri thika, një shufër metalike si dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike. Sipas Policisë, për secilin rast nga Prokuroria e Shtetit është iniciuar hetim i veprës penale.























