Paqartësia ligjore shtyn RTK-në që t’i anulojë konkurset për kryeredaktorë
RTKlive
Menaxhmenti i RTK-së ka marrë vendim që t’i anulojë konkurset aktuale për kryeredaktorë në RTK-TV1/3/4, RTK2 dhe RTK-Radio, për shkak të paqartësisë ligjore ndërmjet udhëzimit administrativ 07/2017 dhe ligjit të RTK-së.
Neni 35 paragrafi 5 i ligjit të përcakton se secili kryeredaktor i RTK-së zgjidhet nga drejtori i përgjithshëm në bazë të konkursit publik dhe sipas rekomandimit të drejtorit të kanalit televiziv, ndërkaq sipas udhëzimit administrativ, neni 12, përcaktohet nxjerrja e vendimit për përzgjedhjen e kandidatit me më së shumti pikë në listë definitive.
Si rrjedhojë, dispozitat e udhëzimit në raport me ligjin për RTK-në, nuk janë në pajtueshmëri me njëra- tjetrën dhe krijojnë hapësirë për interpretim dhe keqkuptim lidhur me rolin dhe kompetencat e organeve të larta drejtuese të institucionit.
Për të mundësuar që procesi i përzgjedhjes në këto pozita të larta editoriale të RTK-së të jetë në pajtim me ligjin për RTK-në dhe i pakontestueshëm në aspektin procedural, do të hartohet një rregullore e brendshme që përcakton qartë procedurat dhe eliminon përdorimin e Udhëzimit Administrativ 07/2017, siç e përcakton neni 2, paragrafi 3 i këtij udhëzimi.
Rregullorja e re do të hartohet në afat optimal dhe më pas do të shpallen konkurset publike për kryeredaktorë në tri njësitë programore të transmetuesit publik.























