Pendarovksi ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Kurti në Çair e Tetovë
BKT
Lajme

Pendarovksi ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Kurti në Çair e Tetovë

M.Sh/RTKlive

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka reaguar të dielën kundër vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Çair e Tetovë, duke kërkuar që organizatorët e tubimeve publike të sanksionohen ligjërisht për shkelje të dispozitave ligjore. Pendarovski vizitën e Kurtit e ka cilësuar si nxitje të urrejtjen etnike.

“Theksimi i një ikonografie provokative nacionaliste që promovon idetë shoviniste të mëdha-shtetërore përfaqëson nxitjen e urrejtjes etnike dhe intolerancës që sulmon pa mëdyshje parimet dhe vlerat themelore të Traktatit Kornizë dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, ka shkruar Pendarovski.

Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair, sipas tij, duhet të sanksionohen ligjërisht për shkelje të dispozitave ligjore lidhur me përdorimin e flamurit shtetëror, himnit dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke injoruar siç thotë ai, plotësisht simbolet e shtetit.

“Lidhur me këtë, kërkoj nga organet kompetente që sa më parë të përfundojnë procedurat e parapara”, ka shkruar në reagim Pendarovski.

Ai ka reaguar edhe për emërimin  rrugës në Çair me ermin e atdhetarit Adem Demaçi

“Mënyra e zbatimit të idesë së riemërimit të rrugës në Komunën e Çairit është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimin e trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në vend. Në këtë drejtim, pres nga shërbimet kompetente të inspektimit të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë, i cili duhet të përfshijë votat e komuniteteve jo shumicë në atë komunë”, ka thënë presidenti Pendarovski.

Kujtojmë se vetë kryeministri Albin Kurti tha se vizita e  tij në Maqedoninë e Veriut nuk është partiake,  por është kombëtare për të mirën e dy shteteve. “... Kështu që kjo vizitë nuk është partiake, është kombëtare është për të mirën e të dy shteteve tona, është për të mirën e qytetarëve në të dy anët e kufirit”, tha Kurti.


MË SHUME NGA Lajme