Refuzohet si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi
BKT
Foto/ RTKlive
Gjykata Speciale

Refuzohet si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi

A.B / RTKlive

(E përditësuar) Trupi gjykues refuzon si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai po dëshmon nën masa mbrojtëse për periudhën e vitit 1998 dhe rreth zonës së Llapushnikut për të cilën ka thënë se komandanti kryesor ishte Fatmir Limaj.

Në fillim të marrjes në pyetje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një video për të cilën prokurorit Matt Halling ka thënë se është ceremoni betimi e UÇK-së.

Ai ka kërkuar që njëjta të pranohet si provë materiale, por është refuzuar nga trupi gjykues meqë aty nuk shihej se është kryer betimi.

(E plotësuar, ora 10:00) Ka filluar seanca në Dhomat e Specializuara në rastin gjyqësor `Thaçi dhe të tjerët". Thaçi, Veseli, Selimi janë prezent në seancë, kurse Krasniqi nuk po merr pjesë, por e ndjek në lidhje online. Dëshmitari i ri i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është dëshmitari i mbrojtur W03879. Ky është dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë deri tani. Seanca po mbahet e mbyllur.

 

Sot në Speciale vazhdon gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Nga sot, më 14 gusht, pas pushimit veror pritet të fillojë gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Sipas kalendarit, për katër ditë rresht të kësaj jave pritet të mbahen seancat dhe dy javë të tjera të këtij muaji, raporton RTKlive.

Në në rastin gjyqësor 'Thaçi dhe të tjerët", deri tani kanë dëshmuar 15 dëshmitarë.

Kurse numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje është ende 140.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. 

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Ndryshe gjatë muajit gusht janë paraparë të mbahen shtatë seanca në rastin gjyqësor “Thaçit dhe të tjerët”, ndërsa në rastin “Shala’, do të mbahen pesë seanca.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale