Takohen Aliu e Ahmeti, konfirmojnë bashkëpunimin në interes të dy vendeve
BKT
Në Fokus

Takohen Aliu e Ahmeti, konfirmojnë bashkëpunimin në interes të dy vendeve

M.P. / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti ka dërguar ministrin e Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, për takim me kryetarin e partisë shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

Pas takimit Ahmeti në konferencë për media ka njoftuar se Kurti ka kërkuar të mbahet takimi me qëllimin më të mirë të vazhdimit të komunikimit.

“Ashtu siç ka qenë në të kaluarën, ky komunikim dhe ky bashkëpunim të vazhdojë me interes për të dyja vendet tona sepse çdo bashkëpunim dhe forcim i këtij bashkëpunimi mes vendeve të rajonit si me Republikën e Kosovës si me Republikën e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Serbisë, sigurisht që jemi investues të fortë në drejtim të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë së sigurt të rajonit që jo hiq më shumë se 20 vite ka qenë i trazuar në konflikte e luftëra me pasoja të rënda”, u shpreh Ahmeti.

Tutje ai përmendi rrugën Tetovë – Prizren, e cila është në fazën e projektimit, për të cilën tha se është me leverdi të jashtëzakonshme ekonomike. Gjithashtu shtoi se ky projekt do të mundësojë qarkullimin, teksa tha se beson që "ekipet ndërqeveritare merren seriozisht dhe aktivisht me këtë çështje që projektimi të mbyllet sa më shpejt e fillimi të ndodhë në kohë sa më të afërt”.

Ministri Liburn Aliu për këtë projekt theksoi se ka studimin e fizibilitetit të realizuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Tutje Aliu shtoi se përveç dy qyteteve shqiptare, kjo rrugë do të lidhë edhe parkun nacional të Sharrit me parkun nacional të Maqedonisë së Veriut.

“Jemi në fazën e marrëveshjes financiare për ta realizuar projektin, dizajnin edhe tunelin e përbashkët dhe më pastaj të kalojmë në fazën e realizimit të plotë të këtij projekti. Përpos që lidh Prizrenin me Tetovën e lidh edhe pjesën e parkut nacional të Sharrit në pjesën e Republikës së Kosovës me pjesën e parkut nacional në anën e Maqedonisë. Zonat kanë vlera të jashtëzakonshme dhe mundësi të zhvillimit ekonomik përmes turizmit si veror edhe dimëror dhe kjo rrugë do të krijojë një mundësi të menaxhimit të përbashkët të parkut nacional dhe menaxhimit të zhvillimit të turizmit për të dyja vendet që do të mund të krijonte mundësi të reja për vende pune e zhvillim ekonomik”, ka thënë Aliu.

Në këtë paraqitje të tyre para mediave nuk janë lejuar pyetjet e gazetarëve.


MË SHUME NGA Në Fokus