Maqedonci, letër të hapur për stafin civil dhe ushtarak të FSK-së
BKT
Lajme

Maqedonci, letër të hapur për stafin civil dhe ushtarak të FSK-së

E. Hoti / RTKlive

Ministri i ri Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u është drejtuar me një letër zyrtarëve civilë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Maqedonci ka thënë se është i ngazëllyer dhe i entuziazmuar të fillojë udhëheqjen e këtij institucioni profesional të civilëve, ushtarëve dhe oficerëve, për të punuar së bashku në zgjidhjen e problemeve dhe përmbushjen e objektivave.

“Së bashku do kontribuojmë në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke siguruar kështu sovranitetin dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, tha ministri në letrën e tij.

Ai shtoi se ka pasur nderin e madh që gjatë gjithë jetës së tij t’i shërbejë Kosovës, prandaj konsideron se është përgjegjësi dhe nderim shumë i veçantë për të që ta marrë përsipër detyrën e ministrit të Mbrojtjes.

“Gjatë kohës së shërbimit tim në FSK, falë punës së jashtëzakonshme të ushtarëve, oficerëve dhe stafit civilë kam qenë dëshmitar i transformimit të FSK-së, nga një forcë me kapacitete të kufizuara, në një ushtri profesionale siç është sot”, shtoi Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjës tha se duke u bazuar në raportet që janë krijuar gjatë periudhave të ndryshme të punës së përbashkët është i bindur se do të vazhdojnë të përparojnë në drejtim të përmbushjes së objektivave për t’u integruar në strukturat euro-atlantike, për të qenë aleat me peshë i partnerëve të Kosovës dhe për t’u bërë nga konsumues të sigurisë në ofrues të sigurisë.

Maqedonci tutje tha se FSK ka arritur në këtë pikë përmes punës së pandërprerë e të palodhshme, por gjithashtu edhe bashkëpunimit me NATO-n, me shtetet aleate dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilët ministri tha se janë partnerë kyç, e me të cilët do të vazhdojë të punojë me synim rritjen e bashkëpunimit dhe realizimin e objektivave të përbashkëta.


MË SHUME NGA Lajme