Pasi protestuan, minatorëve të Trepçës u dolën pagat e korrikut
Edina Avdiu/RTK
Minatorët e Trepçës kanë probleme të tjera. Gati çdo muaj, atyre telash u del me mosmarrjen në kohë të pagave. Hall të tillë patën edhe me ato për muajin korrik, të cilat nuk i morën deri në mesditën e së enjtes. Në fakt, ata filluan protestën duke bojkotuar punën, disa orë para se pagat t’u dilnin në llogari.
Minatorët e Trepçës deri më tash kanë pasur fat në punën e tyre nën tokë, por jo edhe me shpagimin e djersës së tyre mbi tokë. Disa herë gjatë muajve të fundit, ata nuk i morën pagat me kohë.
Problem të tillë patën edhe me ato të muajit korrik, të cilat nuk u dolën deri në mesditën e së enjtes së 17 gushtit.
Prandaj, siç bënë edhe muajve të kaluar, vendosën sërish të protestojnë. Me 17 ditë vonesë, pagat u dolën në llogari, por para se ta merrnin këtë lajm, gjatë paradites të së enjtes, të ulur pranë njëri-tjetrit në ambientet e Trepçës, diskutonin për hallet e tyre.
Nga sindikata e Trepçës iu bë thirrje menaxhmentit dhe Qeverisë që të bëjnë realizimin e pagave për minatorët. Në të kundërtën, paralajmëruan se greva do të vazhdojë brenda në zgafelle.
"Çka po na shqetëson më shumë është se menaxhmenti ka marrë vendim që mëditjet e ditës së grevës nuk do të kompensohen, kjo për ne është e papranueshme. Në rast të mosrealizimit të pagës, minatorët do të futën në zgafellë dhe do të grevojnë atje", tha kryetari i sindikatës Ibrahim Jonuzi.
Me gjithë premtimin nga menaxhmenti se pagat do të ekzekutoheshin të hënën e 14 gushtit, një gjë e tillë u realizua të enjten e 17 gushtit.
RTK ka provuar të marrë një përgjigje nga menaxhmeti i Trepçës lidhur me këtë çështje por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Pas daljes së pagave të muajit korrik në llogaritë e tyre, minatorët iu rikthyen punës, por me shqetësimin se do të kenë telashe me marrjen e pagave të muajit gusht me kohë.























