Varri i zbrazët, eshtrat e Lulver Deliut, 12 vjeç, pushojnë diku tjetër
BKT
Lajme

Varri i zbrazët, eshtrat e Lulver Deliut, 12 vjeç, pushojnë diku tjetër

Edona Podvorica/RTK

Ishte vetëm 12 vjeç kur u vra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Ky është Lulver Deliu nga Rezalla e Skenderajt, i cili jo vetëm që nuk arriti ta jetojë fëmijërinë, por as tani ta marrë respektin e merituar. Një mosmarrëveshje mes fshatarëve për zhvendosjen e eshtrave të disa martirëve, ka bërë që eshtrat e tij të pushojnë diku tjetër, e varri i tij në kompleksin përkujtimor në këtë fshat, të mbetet i zbrazët.

“Vjet per vjet, ktu bi lule per djalin a eshtrat i ka nalt atje te vorret”, thotë Zeqir Deliu, i cili eshtrat e të birit, Lulverit, të vrarë në luftë, nuk i ka në këtë kompleks varrezash. Eshtrat e tij pushojnë te të tjerat varre në fshatin Rezallë të Skenderajt.

Babai që ka më shumë se dy dekada që vuan për të birin e vrarë, me vite pret për varrimin e eshtrave të tij në kompleksin memorial të martirëve në këtë fshat. Këtu, ku Lulveri e ka pllakën përkujtimore e varrin e zbrazët.

Prindi tashmë i moshuar, rrëfen se kanë kërkuar në komunën e Skenderajt që eshtrat e të birit të varrozën aty ku janë edhe martirët e tjerë të vrarë gjatë luftës.

Ndërkohë, në varrezat lart në fshat, aty ku janë eshtrat e të birit, por edhe të familjarëve të tjerë, thotë se shkon shpesh për vizitë.

Shkak për mbetjen e varrit të zbrazët të Luverit në kompleksin e martirëve, është bërë një mosmarrëveshje mes fshatarëve. Thotë se donin e disa nuk donin t’i lëviznin ata.

E pritja është e dhimbshme.

Sidoqoftë, në komunën e Skenderajt thonë se janë të gatshëm në çdo kohë ta kryejnë zhvendosjen e eshtrave të martirit 12 vjeç nga vendi ku ndodhen tani në varrin e zbrazët në kompleksin e martirëve.

Më 5 mars, në Rezallë të Skenderajt, policia dhe ushtria serbe patën ekzekutuar 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe të fshatrave përreth.


MË SHUME NGA Lajme