Murati: Prokuroria Speciale hodhi poshtë kallëzimin penal për shpronësimet
RTKlive
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se Prokuroria Speciale e kishte hedhur një kallëzim penal të dorëzuar nga ai në lidhje me keqpërdorimet në shpreonësimet për rrugën Kijevë-Zahaq.
"Këtë muaj bëhen 2 vite prejse pata dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale për rastin me keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq. Kallëzimit penal ia pata bashkangjitur edhe raportin e auditimit, i cili ndër tjera kishte gjetur se vlera e pronave që parashihej të shpronësoheshin, në databazën e tatimit në pronë ishte rreth 6 milionë euro", ka shkruar Murati në "Facebook".
Sipas tij një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave, dhe kush i kishte porositur.
"Por çfarë ka bërë Prokuroria Speciale?. E hedh poshtë kallëzimin penal. Këtë e bën me arsyetimin se me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje. Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi. Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër. Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni", tha Murati.
Ai tha se Qeveria që e lufton korrupsionin, krejt çfarë ka qenë në dorën e saj e kanë bërë.























