Athinë, Kurti takon Von der Leyen, temë çështjet bilaterale Kosovë - BE
RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përderisa po qëndron në Athinë, zhvilloi një takim miqësor me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Bëhet e ditur se një ndër temat kryesore të këtij diskutimi ishin çështjet bilaterale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në zbatimin e reformave.
“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor (EU Growth Plan), të prezantuar nga vetë Presidentja Von der Leyen në Bratisllavë, zbatimi i marrëveshjeve nga Tregu i Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe dialogu në Bruksel ishin ndër tema kryesore të diskutimit”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka shënuar progres ekonomik edhe në këtë vit. Ai theksoi se rritja ekonomike reale për çerekun e parë të vitit 2023 është 3,9 për qind.
“Në gjysmën e parë të 2023-tës të hyrat janë shtuar për 15,8%. Ndërkaq nënvizoi se inflacioni ka rënë nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor. Inflacioni këtë vit vlerësohet që të jetë në 5.2%”, thuhet tutje në njoftim.
Kryeministri kujtoi takimin e Bratisllavës me 10 korrik për de-eskalim dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që kemi edhe numër të shtuar të punëtorëve në ndërtesat komunale. Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Kurti i kushtoi vëmendje edhe rëndësisë së zbatimit të marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal që janë nënshkruar në Berlin në nëntorin e kaluar si pjesë e Procesit të Berlinit.
Kryeministri Kurti sonte do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis, për liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila po mbahet në 20-vjetorin e Samitit të Selanikut.
Athinë, Kurti - Plenkoviqit: Arritjet e Kroacisë, një model për t`u ndjekur

Qëndrimin në Athinë sot për të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e filloi me një takim me homologun e tij nga Kroacia, Andrej Plenkoviq.
Qëndrimin në Athinë sot për të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Kyriakos
Bëhet e ditur se në takim ata folën për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe potencialin që dy vendet kanë për thellim e konkretizim të mëtejmë të tyre.
“Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Plenkoviq për progresin dhe arritjet e vendit në rrafshin ekonomik dhe demokratik, me theks qeverisjen dy vjeçare. Ai e uroi homologun e tij dhe Kroacinë që së fundmi u bë anëtarja e 20-të e Eurozonës dhe anëtarja e 27-të e zonës Schengen, teksa e cilësoi këtë si një arritje të madhe të Kroacisë dhe Kroacinë si një model për t'u ndjekur”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të Kryeministrit.
Të dy ndanë këndvështrimet e tyre mbi zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, duke mbetur të përkushtuar për bashkëpunim të afërt, në shërbim të interesave të përbashkëta dhe në linjë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, thuhet në këtë njoftim.
Gjithashtu bëhet e ditur se ata folën edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ku kryeministri Kurti ka theksuar nevojën për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër.























