‘Luarasi’ i reagon ministres Nagavci: Vet ke nënshkruar çmimin për libra
BKT
Lajme

‘Luarasi’ i reagon ministres Nagavci: Vet ke nënshkruar çmimin për libra

E. Hoti / RTKlive

Shtëpia Botuese "Luarasi" ka reaguar sot lidhur me deklarimet e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci lidhur me procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore pas propozimit të MASHTI-t që librat të blihen nga prindërit duke i rimbursuar ato me arsyetim se shtëpitë botuese kanë ofruar çmime të larta.

Nagavci ka akuzuar shtëpitë botuese për rritjen e çmimeve të librave. Në veçanti, ministrja ka akuzuar shtëpinë botuese "Luarasi" dhe ka përmendur se e ka denoncuar këtë situatë në organet kompetente.

Kjo shtëpi botuese po ashtu  ka paralajmëruar padi për ministren e Arsimit. Sipas kësaj shtëpie, dështimi i plotë në procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore ka vetëm një emër dhe ai është ministrja Nagavci me kabinetin.

“Luarasi” thotë shpjegimi i këtij ndryshimi të çmimit qëndron në klimën ekonomike dhe në krahasimin me çmimet e teksteve tjera.

“Ministrja Nagavci, në konferencën për media, më 21.08.2023, rreth çmimit të tekstit Matematika 3 të Shtëpisë Botuese “Luarasi” tha: Një rast, të cilin veç se e kemi adresuar te organet kompetente të hetuesisë, kur i njëjti tekst që një vit është shitur diku prej 3 eurove, në vitin vijues na është shitur diku mbi 12 euro. Ndërsa, e vërteta është si vijon. Shtëpia Botuese “Luarasi”, në vitin 2021 ka ofertuar me çmimin 6.7 euro për tekstin Matematika 3, kurse me të njëjtin tekst, në vitin 2022 ka ofertuar me çmimin 12 euro”, thuhet në reagimin e kësaj shtëpie.

Këto çmime, sipas këtij reagimi, i ka pranuar dhe nënshkruar ministrja Nagavci.

"Shpjegimi i këtij ndryshimi të çmimit qëndron në klimën ekonomike dhe në krahasimin me çmimet e teksteve tjera, por për këtë, në një rast tjetër”, thuhet në reagim.

“Edhe dy gjëra sa i përket çmimeve. E para, ministrja vendos apo jo nënshkrimin në kontratë për blerje, prandaj nuk mund të denoncojë, madje është qesharake të tentojë të denoncojë dikë për çmimin e ofruar për shitje. E dyta, përrallat për çmimet e viteve të kaluara nuk mund ta
mbulojnë dështimin e ministres Nagavci në procesin e këtij viti.”, konsideron kjo shtëpi botuese.

“Lauarasi” po ashtu paralajmëron padi për ministren e Arsimit. 

“Nga Shtëpisë Botuese “Luarasi”, tashmë janë dorëzuar mbi 10 padi. Ministrja Nagavci është kallëzuar penalisht me 8 vepra penale, kallëzim penal, i cili do të plotësohet edhe me dy vepra të tjera penale. Dhe tani, edhe padia kundër ministres Nagavci për shpifjen që e bëri lidhur me çmimet e Shtëpisë Botuese “Luarasi” është gati”, thuhet në fund të reagimit.


MË SHUME NGA Lajme