PDK: Qeveria po i dëmton financiarisht prindërit
E. H/ RTKlive
Drejtorët e arsimit nga radhët e PDK-së në nivel komunal, kanë mbajtur një konfernecë për media në të cilën kanë shprehur pakënaqësinë e madhe me propozimin e fundit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci në lidhje me furnizimet me tekstet shkollore për nxënës.
Besianë Musmurati, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se çdo ditë e më shumë po e shohin që Qeveria dhe Ministria e Arsimit janë të paafta të çojnë përpara çfarëdolloj politike arsimore.
Sipas saj, propozimi i ri i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e librave është shembulli i fundit dhe më i freskët i keq-qeverisjes në arsim, ashtu si edhe në sektorët tjerë.
“Tentativat për të fshehë dështimin në arsim me arsyetime e fshehje pas gabimeve të së kaluarës duhet të marrin fund. Gabimet nuk përmirësohen me gabime më të mëdha. Prindërit gjithandej nëpër Kosovë janë tejet të shqetësuar me situatën e re e cila pritet të krijohet - ku edhe shtatori i dytë nën qeverisjen Kurti po i gjen nxënësit me probleme për të nisur vitin shkollor”, ka thënë Musmurati.
Më tutje, ajo ka thënë se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre - të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla, apo nëse ato do të jenë të mjaftueshme për të blerë librat.
“Në vend se Qeveria t’a zvogëlojë barrën financiare të shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, ajo po kontribuon që të dëmtohen financiarisht edhe prindërit, po edhe vetë buxheti i shtetit. Ministria e Arsimit po përpiqet që dështimin e tyre për furnizim të nxënësve me libra ta mbulojë me arsyetime e improvizime”, ka thënë Musmurati.
Ajo ka thënë se nga ky veprim i Ministrisë, do të ketë të paktën tri pasoja të mëdha të cilat do t’i vuajnë nxënësit dhe prindërit.
“E para, vendimi i ministres Nagavci do të prodhojë vonesa dhe mësimi do të fillojë pa tekste shkollore. Së dyti, ky vendim i Qeverisë Kurti do të prodhojë humbje efektive të mësimit. Së treti, do të ketë shpenzime edhe më të larta për prindërit dhe vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Siç ka thënë Musmurati të gjithë e dinë se mësimi fillon me 1 shtator, andaj, e gjithë kjo situatë sipas saj është pasojë e keqmenaxhimit të dikasterit nga ana e Ministres Nagavci.























