Takimi Lajçak-Escobar për normalizim të marrëdhënieve
Gjeraqina Tuhina/RTK-Bruksel
Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak është takuar në Bruksel me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
“Së bashku me ekipet tona, ne kaluam dje në një diskutim të thelluar mbi Dialogun, për situatën e krijuar dhe rrugën përpara, si dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Lajçak në rrjetet sociale.

Nuk ka shumë informacion rreth përmbajtjes së takimit. Disa zyrtarë evropian kanë thënë se është takim në kuadër të kontakteve të rregullta që zhvillohen si dhe bashkëpunimit të ngushtë në mes të BE-së dhe SHBA-ve në lidhje me dialogun. Këta zyrtar gjithashtu kanë precizuar se emisari evropian si dhe ai amerikan kanë diskutuar për hapat përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe tejkalimin e situatës e krijuar nga muaji maj.
Sido që të jetë, në BE vazhdojnë të insistojnë se nuk ka vend për dialog e as për heqje të masave përderisa nuk vjen deri të de-përshkallëzimi i plotë i situatës në veri, raporton RTKlive.
Në Bruksel akoma pritet që Prishtina zyrtare t’ui respektojë të gjitha kërkesat e 3 qershorit, që nënkuptojnë tërheqjen e të gjitha forcat policore nga ndërtesat komunale, largimin e kryetarëve të komunave nga objektet komunale si dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat në veri, me pjesëmarrjen e serbëve lokal.























